E Shtunë, 31 Tetor 2026

Remzi Hoxha, masë shtrënguese për ish-shikasit

 

Flamur Vezaj

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzon në gjykatë kërkesën për bllokimin e dokumenteve të udhëtimit për tre ish-drejtuesit e SHIK-ut që ndodhen në Shqipëri, të pandehurit e dosjes së rrëmbimit dhe zhdukjes së biznesmenit kosovar, Remzi Hoxha. Sipas kërkesës së përpiluar nga prokurori i çështjes, Xhevat Hana, thuhet se ekziston rreziku i largimit të tyre nga Shqipëria, për t’iu shmangur hetimit gjyqësor. “Duke analizuar rëndësinë e çështjes që do të gjykohet pranë jush dhe veprën penale për të cilën akuzohen tre të pandehurit, kërkojmë nga Gjykata e Krimeve të Rënda të caktojë masën shtrënguese “ndalimin e daljes jashtë shtetit” të tre të pandehurve në gjendje të lirë: Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe”,-thuhet në kërkesën e prokurorit Hana. Sipas kësaj kërkese, shkaku i caktimit të kësaj mase sigurie është se ekzistojnë dyshimet se tre të pandehurit rrezikojnë largimin nga Shqipëria për t’iu shmangur hetimit gjyqësor.

***

Sipas kërkesës për vlerësimin dhe caktimin e masës së sigurisë, baza ligjore e cila parashikon këtë masë shtrënguese është në nenin 233 i Kodit të Procedurës Penale. “Me vendimin që urdhëron ndalimin e daljes jashtë shtetit, gjyqtari urdhëron të pandehurit të mos largohen nga territori shtetëror shqiptar pa autorizimin e tij. Gjykata cakton detyrat e nevojshme për të siguruar zbatimin e vendimit dhe për të ndaluar përdorimin e pasaportës e të dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit”,-thuhet në nenin 233 të Kodit të Procedurës Penale. Me këtë kërkesë, prokuroria synon bllokimin e të gjitha dokumenteve të udhëtimit të tre të pandehurve, deri në momentin që ata nuk përbëjnë rrezik largimi apo gjykata nuk shprehet me një vendim të formës së prerë për veprat penale për të cilat akuzohen. Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, me kërkesë të prokurorit Xhevat Hana, Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur në kërkim ndërkombëtar të pandehurin e katërt të kësaj dosjeje që po shijon ende lirinë, Ilir Kumbaro. “Dorëzimi i dosjes penale për gjykim dhe moscaktimi i masës së sigurisë “arrest me burg” për tre të pandehurit është bërë për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit në vitin 2003, kur të pandehurit janë arrestuar për herë të parë, për veprën penale të rrëmbimit të shtetasit kosovar Remzi Hoxha, por që nuk përfundoi procesi me këtë vepër penale”,-thuhet nga burimet pranë akuzës.

***

Sipas burimeve nga prokuroria, me dorëzimin e kërkesës penale për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre të pandehurve, pritet që gjyqtari i gatshëm i togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda të caktojë datën e shqyrtimit të kësaj kërkese dhe të shprehet me një vendim. Gjithashtu, po gjatë kësaj dite, kryesuesi i pesëshës gjykuese gjyqtari Xhelal Elezi bashkë me anëtarët e tjerë caktoi datën e 15 majit, si ditën kur do të fillojë shqyrtimi gjyqësor i dosjes për rrëmbimin e shtetasve Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Me caktimin e datës së gjyqit, gjyqtari i Xhelal Elezi i dërgoi fletë-thirrje katër të pandehurve që do të gjykohen pranë kësaj gjykate, duke i kërkuar të paraqiten mëngjesin e 15 majit në gjyq. Pritet që për herë të parë në këtë datë do të dalin para togave të zeza të pandehurit e kësaj dosjeje, Arben Sefgjini, Budion Meçe dhe Avni Koldashi, ndërsa Ilir Kumbaro mësohet se do të gjykohet në mungesë, pasi nuk dihet vendndodhja e tij.

PROKURORIA

Akuzat për 4 ish-punonjësit e SHIK-ut

TIRANË- Të pandehurit Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe do të gjykohen në gjendje të lirë për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty “pengjet” janë torturuar për disa ditë nga ku ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar shtetasi Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur “Albatros”, e cila prodhonte konstruksione duralumini. Nga verifikimet e kryera të prokurorisë ka rezultuar se një nga automjetet e përdorura në ngjarjen e rrëmbimit ka qenë me targa TR 2449 C, e cila drejtohej nga Avni Koldashi, makinë kjo që kishte si pronar institucionin e SHIK-ut dhe që rezulton se është tërhequr nga katër të pandehurit e kësaj dosjeje. F.V

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›