E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Gërdecit, në Kavaleshencë deri më 15 maj

 

TIRANË- Kavaleshenca e Durrësit do të jetë në dispozicion të të pastrehëve të Gërdecit, deri më 15 maj. Pas kësaj date nuk dihet se ku do të qëndrojnë 360 banorët e fshatit të fatkeqësisë, shtëpitë e të cilëve janë krejt të rrënuara. “Periudha e trajtimit të familjarëve të akomoduar në Shtëpinë e Pushimit, Durrës, shtëpitë e të cilëve janë bërë të pabanueshme për shkak të aksidentit, do të jetë dy muaj nga data e ndodhjes së kësaj ngjarjeje”,-thuhet në vendimin që kaloi dje në Këshillin e Ministrave. Projekt-vendimi i Ministrisë së Brendshme ka pasur si qëllim buxhetin shtesë prej 20 milionë lekësh për Kavaleshencën e Durrësit, e cila po mbulon shpenzimet në ushqim dhe shërbime të tjera për rreth 360 banorët e Gërdecit, që ndodhen të strehuar aty. Qeveria miratoi dje fondin shtesë për Ministrinë e Brendshme, para këto që do të përballohen nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Por në këtë vendim nuk jepet asnjë e dhënë për trajtimin e këtyre njerëzve, pas datës 15 maj. Në relacionin e këtij vendimi thuhet se familjarët e Gërdecit janë trajtuar me ushqim falas, në restorantet e këtij institucioni, me një kuotë ditore prej 700 lekësh për person, e sipas llogarive të Ministrisë së Brendshme, fondi i nevojshëm për të përballuar këtë situatë është 20 milionë lekë. Në projektin e parë, ministri Nishani kërkoi fonde shtesë për banorët e Gërdecit deri në 3 muaj pas tragjedisë së rëndë, por ndërhyrja e Ministrisë së Financave e ka kufizuar kohën e trajtimin në 2 muaj. E ndërsa ditët po ikin, 360 banorëve të Gërdecit, kryesisht gra e fëmijë që janë strehuar në Durrës u duhet të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për strehimin e tyre të mëtejshëm. a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›