E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimet në Athinë, Trojka s’ka komente për këstin e gjashtë

ATHINE - Pas takimeve që Trojka zhvilloi me krerët më të lartë të qeverisë greke dhe të partive kryesore politike, nuk ka ndonjë deklaratë shpresëdhënëse, e cila do të njoftonte lirimin e shpejtë të këstit të gjashtë të ndihmës. 

Përfaqësuesit e FMN, Komisionit Evropian dhe BQE takuan dje kryeministrin Papadhimos dhe ministrin e Financave Venizelos, ndërsa sot i vijuan takimet me kryetarin e PASOK-ut Jorgos Papandreu dhe kryetarin e Demokracisë së Re, Antonis Samaras. 

Pas takimit me Papandreun, Paul Thomsen i FMN, u pyet nga gazetarët për lirimin e këstit të gjashtë, por përgjigja e tij ishte: "Asnjë koment". 

Ajo që dihet është se në fokus të diskutimeve ka qenë buxheti i 2012, drafti final i të cilit u paraqit dje në Parlament, përgatitja e Memorandumit të rishikuar pas marrëveshjes së 26 tetorit, plotësimi i kushteve për lirimin e këstit të gjashtë, si dhe paketa e re e mbështetjes për ekonominë greke prej 130 mld Euro.

Ndërkohë mësohet se projektbuxhet i ri i vitit 2012, megjithëse u vlerësua si një buxhet që ka peshë të madhe në përpjekjet për daljen nga kriza, nuk i ka prekur pagat e deputetëve të parlamentit dhe kompensimet e tyre. 

Buxheti që mori miratimin e forcave të koalicionit qeveritar PASOK, ND dhe LAOS, ka parashikuar shkurtime edhe në shpenzimet e parlamentit, të cilat kapin shifrën 27 milionë euro.

Por edhe pse janë bërë shkurtime, kryesisht në pagat e punonjësve të administratës, në qiratë e zyrave dhe shpenzime të tjera, duket se ajo cka është më e rëndësishmja, pagat e deputetëve, kompensimet, udhëtimet, pagesat shtesë për pjesëmarrjen e tyre në komisione, kanë mbetur pothuajse të paprekura.

Eshtë e kuptueshme se një nga pikat e buxhetit, që do të marrë konsensusin më të gjerë të Parlamentit, është pikërisht kjo që parashikon, se pagat e deputetëve do të mbeten të paprekura edhe për vitin 2012.
Lidhje te tjera Ditë të vështira dhe netë pa gjumë për Lukas Papadhimos

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›