E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi Leterme: “Belgjika do tju ndihmojë për vizat dhe integrimin në BE”

Autori i Lajmit: Redaksia

Mbretëria e Belgjikës sapo të marrë kryesimin e Presidencës së Bashkimit Evropian në muajin korrik të këtij viti do të japë gjithë mbështetjen e duhur për Shqipërinë në kuadrin e liberalizimit të vizave. Premtimi i bë dje nga Kryeministri i Mbretërisë së Belgjikës, Yves Leterme, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë. Gjatë takimit me kryeministrin Sali Berisha ai pohoi se fillimisht e rëndësishme është plotësimi i pyetësorit që Brukseli i ka dorëzuar Shqipërisë. Leterme u shpreh gjithashtu se në kuadër të integrimit të Shqipërisë, Belgjika e inkurajon këtë, por sugjeroi se sa i përket fushës së marrëdhënieve zyrtare "mendoj se ka hapësira ku dy vendet duhet të bashkëpunojnë më tej".
Takimi
Kryeministri belg, pas takimit me Berishën, ka vlerësuar gjatë një konference të përbashkët për shtyp se Shqipëria e meritonte anëtarësimin në NATO duke përmendur me këtë raste forcat tona paqeruajtëse në vende të ndryshme të botës. Më tej, duke folur për perspektivën evropiane të Shqipërisë, ai tha se Belgjika është e angazhuar si vend anëtar i BE-së ndaj destinacionit të ardhshëm evropian të vendit tonë. “Unë mendoj se në të ardhmen anëtarësimi i plotë Shqipërisë në BE mund të jetë një ndër faktorët kryesorë të stabilitetit në rajon. Kjo është në interesin e qytetarëve të Shqipërisë dhe të vendeve anëtare të BE-së. Për këtë qëllim, ne zhvilluam bisedime shumë intensive këtë mëngjes, lidhur me opinionin që Komisioni Evropian duhet të paraqesë në fund të vitit, mbi aplikimin për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në BE”, - tha ai. Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave, Leterme pohoi se kjo dosje është shumë e rëndësishme lidhur me kredibilitetin e BE-së në sytë e opinionit publik dhe qytetarëve të Shqipërisë. Ai vlerësoi arritjet, ndërsa inkurajoi Berishën për plotësimin e të gjitha kërkesave në këtë drejtim. “Unë e konsideroj procesin e liberalizmit të vizave teknik dhe jo politik. Është shumë e rëndësishme të plotësohen të gjitha kushtet dhe mendoj se të gjithë qytetarët evropianë dhe qytetarët shqiptarë, qytetarë të ardhshëm evropianë, e meritojnë këtë lloj trajtimi”, - tha Leterme. Më tej ai informoi për bashkëpunimin mes dy vendeve në fusha të ndryshme si atë ekonomike, marrëveshje në fushën e sigurimeve sheqërore etj. Ndërsa kreu i Qeverisë shqiptare e konsideroi historike vizitën e homologut të tij belg. Ai pohoi se falënderoi Letermen për të gjithë mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë, në përpjekjet e saj për ndërtimin e demokracisë, ekonomisë së tregut dhe integrimit euroatlantik. Belgjika ka mbështetur fuqishëm aspiratat e shqiptarëve për integrimin në NATO. Më tej Berisha shtoi se kishte diskutuar me Leterme dhe për investimet belge në Shqipëri apo bashkëpunimin për luftën kundër krimit të organizuar.

Berisha: Marrëveshje me Belgjikën për të burgosurit

Shqipëria është duke firmosur një marrëveshje me Belgjikën për kthimin e të burgosurve. Kryeministri Sali Berisha pohoi dje se kjo marrëveshje është në proces finalizimi. “Unë e sigurova kryeministrin Leterme që do të firmosim çdo marrëveshje me Mbretërinë e Belgjikës dhe me çdo vend tjetër anëtar të Bashkimit Evropian, në interes të luftës më efikase dhe me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Po punohet për një marrëveshje tjetër të rëndësishme në fushën e sigurimeve shoqërore. Shpresoj se së shpejti do të procedojmë me një marrëveshje në fushën e arsimit, fushë që përbën një përparësi të madhe për qeverinë time”, - tha Berisha pas takimit me Kryeministrin belg, Yves Leterme. Lidhur me marrëveshjen për të burgosurit, Leterme u shpreh i kënaqur që qeveria shqiptare ra dakord, ndërsa paralajmëroi se e rëndësishme dhe ndihmë do të jetë edhe një marrëveshje e pritshme, ajo për sigurimet shoqërore.

Ky lajm është publikuar: 17/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›