Takimi Berisha-Pramer
Kryetarja e Parlamentit të Austrisë, zonjën Barbara Prammer i bëri me dije Kryeministrit Berisha se në Austri po finalizohen procedurat për ardhjen e armëve të Heroit Kombëtar të Shqipërisë, Skënderbeut, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë. Kështu gjatë takimit mes tyre, zonja Prammer njohu Kryeministrin me këtë angazhim. Ndërsa kreu i qeverisë shqiptare theksoi se, për shqiptarët Skënderbeu është dhe mbetet figura më e lartë e respektuar e kombit, vepra dhe kujtimi i të cilit mbajti gjallë shpirtin kombëtar, duke i dhënë një shtysë të madhe patriotike të gjitha përpjekjeve të shqiptarëve në shekuj, për pavarësi, liri dhe dinjitet kombëtar. Zoti Berisha i shprehu kryetares sw Parlamentit të Austrisë, mirënjohjen më të thellë për mbështetjen qw ky vend mik i ka dhënë Shqipërisë në të gjitha përpjekjet e saj për konsolidimin e demokracisë, forcimin e shtetit ligjor, integrimin në NATO, e tashmë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Gjatë diskutimit për nismën ligjore të heqjes së imuniteteve, Kryetarja e Parlamentit austriak i bëri me dije Kryeministrit Berisha se, edhe në vendin e saj, në Austri, ku imuniteti i zyrtarëve është në nivelet më minimale, po punohet për ta eliminuar apo reduktuar atë edhe më tej. Duke u ndalur tek interesi i jashtëzakonshëm i investitorëve austriakë për të investuar në Shqipëri, Kryeministri Berisha e siguroi Kryeparlamentaren austriake se qeveria shqiptare ka krijuar klimën më të favorshme për bizneset dhe investimet në vend dhe se investitorët austriakë do të gjejnë te qeveria shqiptare partneren e vendosur e të përkushtuar, në mënyrë që investimet e tyre të shndërrohen në histori suksesi për ata dhe për Shqipërinë.