E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi, Topi: Gati ftesat për Berishën dhe Ramën

Presidenti Bamir Topi nis kontaktet e para me Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, dhe kryetarin socialist, Edi Rama, për zhvillimin e bisedimeve, të cilat pritet të zgjidhin ngërçin politik të krijuar si pasojë e bojkotit të PS-së ndaj Parlamentit. Drejtoria e Informimit Publik të Institucionit të Presidentit të Republikës njoftoi dje: “Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit politike në vend, mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin e shprehur për dialog të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe udhëheqësit të opozitës, Edi Rama”.
Në njoftimin për shtyp bëhet më tej e ditur: “Në kontekstin e ri politik, Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës, si dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët”. Kohët e fundit, kreu i shtetit kishte bërë të ditur se është në pritje të shprehjes së vullneteve politike të të dy liderëve për uljen në tryezën e bisedimeve. Tashmë, z. Topi bën të qartë se është gati për nisjen e përgatitjeve të takimit që pritet t’i japë zgjidhje këtij ngërçi 5-mujor me pasojë refuzimin e pjesëmarrjes së opozitës në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›