Takimi, Berisha refuzon ushtarakët
Ushtarakët kërkojnë takim, por asnjë nga Kryeministria nuk i pret
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka refuzuar të presë në takim ushtarakët në rezervë. Megjithëse ai ndodhej në një vizitë zyrtare jashtë shtetit, asnjë nga zyrtarët e tjerë të Këshillit të Ministrave nuk ka pranuar të presë në takim përfaqësinë e Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë. Ndërkohë që ish-ushtarakët protestonin përpara Kryeministrisë, një përfaqësi e tyre ka kërkuar takim me Kryeministrin, për t'i paraqitur në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkesat e tyre. Por kërkesa e tyre për të takuar kryeministrin ka gjetur vetëm përgjigjen e punonjësit të Gardës, që qëndronte në hyrje të Kryeministrisë, i cili u ka bërë të ditur se kryeministri nuk mund t'i takojë për shkak se ndodhej në një vizitë jashtë vendit. Kjo ka bërë që ushtarakët në lirim të bëjnë një tjetër kërkesë për t'u takuar me zëvendëskryeministrin, fati i së cilës ishte i njëjtë. Punonjësi i Gardës ka bërë të ditur se zëvendëskryeministri, Gazmend Oketa nuk ndodhej në zyrë dhe se nuk mund të kthehej për shkak të një angazhimi tjetër. Por as kjo si ka bindur ish-ushtarakët, që të heqin dorë nga nisma e tyre për të paraqitur vetë dorazi në Kryeministri kërkesat e tyre. Për këtë arsye ata kanë kërkuar që të takohen qoftë me drejtorin e kabinetit Berisha, Arben Imami, apo edhe me ndonjë prej këshilltarëve të tij. Por edhe në këtë rast përgjigja ka qenë refuzuese, pasi asnjëri prej tyre nuk ndodhej në Kryeministri. Megjithatë duket se ish-ushtarakët nuk kanë dalë pa gjë nga kjo përpjekje, pasi kanë marrë premtimin e punonjësit të Gardës për të siguruar një takim me kryeministrin Sali Berisha gjatë ditës së sotme. Presidenti i Nderit të Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Lirim, Zyhdi Kroi ka deklaruar dje për gazetën se, në rast se kryeministri Berisha nuk do të pranojë as sot që të presë përfaqësinë e shoqatës në takim, atëherë pritet që të ndërmerren dhe hapa të tjera, siç është ajo për vazhdimin e protestës çdo ditë.