E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta e bandave, policia arreston tre të plagosurit

Laç, Viktor Fufi, Eduart Trokthi dhe Armir Reçi janë arrestuar dje nga policia. Dy prej tyre ndodhen në spital
LAÇ- Policia e Laçit ka arrestuar dje tre të rinjtë e implikuar në përplasjen me armë që terrorizoi dy ditë më parë qytetin e vogël. Burimet zyrtare të policisë pohuan dje arrestimin e Viktor Fufit, Eduart Trokthit dhe Armir Reçit. Të tre të arrestuarit kanë mbetur të plagosur nga plumbat e njëri- tjetrit por asnjë prej tyre nuk ka probleme. Reçi dhe Trokthi, të cilët ndodhen ende në spital, po ruhen me efektiva policie në derën e dhomës. Ata vazhdojnë të kurohen, njëri në spitalin ushtarak dhe tjetri në spitalin e Durrësit në mënyrë që të mos kenë mundësi të rrinë pranë njeri- tjetrit. Ndërkohë Viktor Fufi ka lënë spitalin pasi ka marrë mjekimin paraprak, dhe tashmë është dërguar në paraburgim. Burimet e policisë pohuan se tre të rinjtë kanë vendosur që të flasin gjatë ditës së djeshme dhe të thonë motivin e tyre për ngjarjen. Sipas tyre, shkaku i sherrit ishte bllokimi i rrugës me makinë. Të plagosurit kanë pohuar se Viktor Fufi dhe Eduart Trokthi po lëviznin me makinë në një rrugë njëkalimshe kur përpara u ka dalë makina e Armir Reçit. Ata i kanë kërkuar atij që të hapë rrugën por Reçi nuk ka pranuar. Pas disa replikave e sharjeve momentale, tre të rinjtë kanë nxjerrë armët duke qëlluar njëri – tjetrin, pa u shqetësuar nga ana e policisë. Sipas hetuesve, versioni i dhënë nga tre të rinjtë nuk është shumë bindës dhe se hetimet e mëtejshme presin që të zbardhin të vërtetën e kësaj ngjarjeje. Krerët e policisë lokale kanë vendosur edhe policë roje në banesat e të arrestuarve të djeshëm në mënyrë që të shmanget ndonjë konflikt më i gjerë me implikimin e familjarëve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›