E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi, Idrizi: Presidenti mbi palët, Nano: Jemi në rrugën e duhur

TIRANE - Ish-lideri i socialistëve, Fatos Nano vijon takimet me krerët e partive politike, për të siguruar mbështetje për të zënë vendin e Presidentit të Republikës. Pas takimit me kreun e Partisë Socialiste Edi Rama, liderin e LSI-së Ilir Meta dhe ambasadorin amerikan Arvizu, ish-kryeministri Nano zhvilloi sot një takim në hotel “Rogner” me kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Menjëherë pas takimit, që zgjati më tepër se një orë, kryetari i PDIU-së doli përpara gazetarëve, ku e cilësoi si mjaft konstruktive bisedën me ish-liderin e opozitës dhe vlerësoi platformën e tij.

“Nano parashtroi platformën e tij. Ka vizion gjithëpërfshirës, të cilën e vlerësojmë. Ne si parti vlerësojmë faktin që Presidenti i Republikës të ketë një platformë e profil të qartë politik, në mënyrë që mos kemi një president anonim. Urojmë që shqiptarët të kenë një president konsensual.”- theksoi Idrizi.

Më tej, kryetari i PDIU-së nënvizoi se procesi i zgjedhjes së presidentit nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme dhe emri i përzgjedhur duhet të jetë mbi palët..

“Zgjedhja do të kalojë në një proces negociatash brenda dhe jashtë mazhorancës. Presidenti duhet të ketë profil të qartë politik dhe të jetë garant i Kushtetutës.”- u shpreh Idrizi. 

Presidenti, Nano: Jemi në rrugën e duhur
Pas takimit me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, për t’i shpalosur atij platformën për të qenë presidenti i ri i vendit, ish-lideri i të majtëve Fatos Nano deklaron se është në rrugën e duhur për të zgjeruar dialogun politik.

“Besoj se jemi në rrugën e duhur për të zgjeruar dialogun jo vetëm për zgjidhjen e cështjes presidenciale, që kërkon përmbushjen e dialogut por edhe me një klimë të favorshme që kjo cështje të përkojë me integrimin e shqiptarëve në BE”, tha ai.

Nano deklaroi më tej se procesi i zgjedhjes së presidentit duhet të jetë i zhveshur nga ndrojtjet, ndërsa shtoi se shumë shpejt do ketë edhe takimet e tjera, ku do të paraqesë platformën e tij presidenciale. Nano la të kuptohet se takimi i afërt i radhës, do jetë ai me kryeministrin Berisha. 

Pasi vetëshpalli kandidaturën për postin e Presidentit, Nano deklaroi se do të zhvillonte takime të ndara me të gjithë krerët e partive parlamentare, për të siguruar mbështetje. Zoti Nano pritet të takohet edhe me kryeministrin Sali Berisha, kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule si dhe me kryetarin e Republikanëve, Fatmir Mediu. 

Incidentet në Maqedoni, Nano: Jo dënim kolektiv
Fatos Nano u ndal të komentojë edhe zhvillimet në Maqedoni, pas arrestimit të 20 radikalëve islamikë, të dyshuar edhe si shqiptarë. Nano tha se, “Zhvillimet në Maqedoni janë kritike, por palët politike nuk ka interes të përfshihen në konflikte, ato nuk duhet të nguten dhe të paraqesin cdo incident në frymën e konflikteve”.
Nano komentoi më tej se, “Drejtësia duhet të ndëshkojë keqbërësit individualisht dhe jo të japë një dënim kolektiv”.

Takimi 20 prill/ Meta takon Nanon: S’e përjashtoj si President
Ish-kryeministri socialist Fatos Nano kërkoi më 20 prill mbështetjen e të parit kryetar të një prej partive politike në Kuvend, atij të LSI-së, Ilir Meta.
Ashtu siç deklaroi kur shpalli kandidimin për postin e Presidentit, Nano nisi negociatat me Metën, prej të cilit mori edhe mbështetjen e parë.

Të dy ish-miqtë dhe njëherësh edhe kundërshtarë të hershëm, biseduan për më shumë se 1 orë e 45 minuta, në hotel “Rogner”, ku kanë pirë vetëm ujë. E pas takimit, kreu i LSI-së, Meta la të kuptohej për gazetarët se nuk e përjashton dhe e paragjykon Nanon. “Përjashtimi, paragjykimi, nuk i takon filozofisë së LSI-së”,- tha Meta. Ndërsa Nano, nga ana e tij deklaroi se në fillim të javës do të takohet edhe me kreun e PS-së, Edi Rama. “Sigurisht që jemi duke identifikuar me shumë maturi dhe qetësi mundësitë që ekzistojnë për të ndërtuar së bashku një proces sa më konsensual të mundshëm”,- u shpreh Nano. 

Ai iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve edhe në lidhje me qëndrimin e kryeministrit Berisha dje, se kandidati do të jetë i PD-së. “Unë besoj se kryeministri bën mirë që nuk sposton axhendën e shpallur edhe për pastrimin e Shqipërisë nga ndotjet dhe me sa kuptova, unë nuk bëj pjesë te ndotjet”,- u shpreh Nano. I pyetur se përse zgjodhi takimin e parë me Metën, Nano tha: “Sepse na lidh një histori e gjatë bashkëjetese dhe bashkëpunimi dhe për fatin tim dhe tonin të përbashkët, partia e tij është lëvizje për integrim dhe unë dua të lëviz me ritmin e integrimit”.

Nga ana e tij, kreu i LSI-së, u shpreh se “është kënaqësi për të qenë vazhdimisht në dialog me zotin Nano, një politikan i njohur, i cili siç e dini ka afirmuar edhe vullnetin e tij për të kontribuar si kandidat për president, dhe në këtë drejtim unë vlerësoj mesazhet e tij konstruktive për të kryer një proces pozitiv dhe çtensionues dhe pavarësisht nga diagrama e raporteve të mia me zotin Nano në të kaluarën dua të vlerësoj që është me goxha eksperiencë”. Meta vlerësoi shumë figurën e Nanos, si një politikan që i ka shërbyer rotacionit demokratik të pushtetit.
Kreu i LSI-së tha se vendimin për votën për Presidentin do ta marrin forumet e partisë.

Takimi 22 prill/ Arvizu: Nano kandidat serioz, një lider pozitiv
Kandidati për President, Fatos Nano mori disa ditë më parë mbështetje pozitive nga ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Në një takim mes tyre, ish-kryeministri socialist diskutoi me ambasadorin amerikan rreth sfidës së tij në këtë garë.
Arvizu e ka vlerësuar Nanon si kandidatin më serioz dhe një “lidership pozitiv”. “Ne kemi nevojë për një lidership pozitiv dhe mendoj që shumë nga këto gjëra pozitive janë tipizuar në një person si Fatos Nano”,- u shpreh Arvizu, pas përfundimit të takimit. Ndërsa Nano u shpreh se do të marrë mbështetje nga PS-ja dhe do të zgjojë atje solidaritetin e fjetur të socialistëve që ende nuk e kanë shfaqur për të.

Takimi në selinë e PS 26 prill/ PS: Presidenti, përmes një procesi gjithëpërfshirës
Pas bisedës me Nanon të enjten e kaluar, kreu socialist Edi Rama nuk pranoi të sqaronte asgjë, personalisht. Gjatë një konference për shtyp ai tha vetëm që “jeta vazhdon”, duke mos pranuar të flasë më tepër rreth takimit.
Ndërsa më pas, nga zyra e shtypit e PS doli një deklaratë, ku thuhet se: “Dy përfaqësuesit më të lartë socialistë, Rama dhe Ruci kanë dëgjuar me vëmendje gjithë çfarë dëshironte t’u përcillte z.Fatos Nano, lidhur me platformën e tij për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës mbi palët e jashtë palëve politike”.
“Nga ana e tyre, ata i kanë thënë z.Fatos Nano se PS synon krijimin e kushteve për një proces politik, ku publiku të mos ndjehet i përjashtuar dhe ku të gjitha palët parlamentare të përfshihen në një dialog konstruktiv. Socialistët do të jenë të angazhuar për t’i dhënë Republikës sonë një President me votat e më shumë se një pale, si edhe vetë Shqipërisë një argument bindës në mbështetje të kërkesës për statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian”,- thuhet në këtë deklaratë. “Për PS është shumë e qartë, se nga një proces sa më gjithëpërfshirës duhet të shkohet drejt emrit të Presidentit të ri të Republikës. Prandaj edhe PS do kontribuojë për këtë proces të domosdoshëm, duke vënë mbi gjithçka interesin e vendit”, -saktëson deklarata, rreth takimit.

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›