Takimi, Kuvajti pro pavarësisë së Kosovës
Kryetarja e Kuvendit zhvillon një vizitë në Kuvajt
TIRANË- Kuvajti do të jetë i pari vend nga rajoni i Gjirit Persik që do të njohë pavarësinë e Kosovës. Kështu i ka premtuar dje Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, Emiri i Kuvajtit, Sabah al-Ahmad al-Jabir al-Sabah, gjatë një takimi që kanë zhvilluar në Kuvajt. "Ju premtoj se Kuvajti do të jetë i pari nga vendet e rajonit tonë,që do të njohë pavarësinë e Kosovës dhe besoj se edhe vendet e tjera do të marrin të njëjtin vendim si ne. Pavarësia e Kosovës, do t'i shërbejë paqes dhe stabilitetit në Ballkan",- theksoi Emiri i Kuvajtit, në takimin me kryeparlamentaren Topalli, ndërsa ajo i kërkoi atij që të ushtrojë ndikimin e tij për çështjen e Kosovës, edhe në vendet e tjera me të cilat Kuvajti ka marrëdhënie të ngushta politike dhe ekonomike. "Kosova pritet të deklarojë pavarësinë në koordinim me Kombet e Bashkuara, SHBA-në dhe Bashkimin Evropian. Do të ishte shumë e rëndësishme që pavarësia e Kosovës të njihet nga vendi juaj",- është shprehur Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, e cila nënvizoi se zbatimi i paketës "Ahtisari" për pavarësinë e Kosovës, është e vetmja rrugë që garanton paqen e stabilitetin e rajonit. Gjithashtu, Topalli shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kuvajti ka dhënë gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999, ndërsa Emiri i Kuvajtit e siguroi atë se mbështetja e Kuvajtit për Kosovën do të jetë e përhershme.