E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zogaj: Duhet përfaqësim politik e intelektual në qeveri

"Është momenti që çdo ministri duhet të bëjë analizën profesionale të aktivitetit të saj"
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, është i mendimit se ka nevojë për një përfaqësim më të madh politik të mazhorancës në qeverisje dhe një përfaqësim më të madh intelektual. Duke folur për reformat që duhet të realizojë këtë vit vendi ynë, ku përgjegjësinë kryesore e ka mazhoranca, deputeti Zogaj u shpreh dje se brenda mazhorancës është e domosdoshme të ndihet fryma e ndryshimit. Kjo frymë, sipas tij, mund të shihet në një përfaqësim më të madh politik të mazhorancës në qeverisje, duke theksuar faktin se ministrat përfaqësojnë votën, si dhe përfaqësimin intelektual në qeveri; futja në qeveri e personaliteteve që nuk janë thjesht fotokopje të lidershipit, por që përfaqësojnë një mentalitet, vizion dhe sjellin më shumë vota në parti. Gjithsesi, Preç Zogaj thotë se, fryma e ndryshimit nuk duhet të shndërrohet në një qëllim në vetvete dhe në presion për punën e qeverisë. "Nënkuptoj përfaqësim politik, përfaqësim të bollshëm, pasi ministrat përfaqësojnë votën. Kjo është. Jo vetëm për një ministër tonin, por edhe të partive të koalicionit, duhet parë se çfarë arritjesh konkrete kanë, se cili është perceptimi që ka publiku për arritjet e një ministri apo dikasteri. Kemi dhe përfaqësimin intelektual, personalitetin e vetë politikanit që ftohet në qeveri, sepse ekziston një raport i krijuar nëpër vite dhe pak a shumë, çdo parti nuk e ka shumë të vështirë të identifikojë personalitete që nuk janë thjesht fotokopje të liderit, lidershipit, por janë përfaqësues mentalitetesh, përfaqësues rrymash, përfaqësues vizionesh, që sjellin më shumë vota në parti",- është shprehur deputeti i PD-së. Sipas Zogajt, afrimi i zgjedhjeve duhet të pasohet edhe me diskutimin e skemës së koalicionit të qeverisjes, ndërsa është momenti që çdo ministri duhet të bëjë analizën profesionale të aktivitetit të saj. Preç Zogaj, është një ndër deputetët e PD-së që shpreh hapur mendimin për bërjen e një analize të qeverisjes, dhe pse jo, edhe të ndryshimeve në qeveri, në rast se ato rezultojnë të nevojshme pas bërjes së analizës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›