E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi Panariti-Frattini

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti priti sot në një takim, ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, deputet në Parlamentin Italian, Franco Frattini.
Ministri Panariti shprehu kënaqësinë e veçantë për takimin me z. Frattini, mik i shquar i Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe vlerësoi kontributin e tij të spikatur në forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë, dhe veçanërisht, në mbështetje të procesit të  liberalizimit të vizave dhe integrimit të Shqipërisë në BE.
Gjatë bisedës ministri Panariti konfirmoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve që ekzistojnë mes dy vendeve tona, si marrëdhënie të një partneriteti strategjik, që po vazhdojnë të thellohen dhe konkretizohen më tej, veçanërisht, në fushat ekonomike dhe kulturore, çka u dëshmua dhe gjatë vizitës së parë të Ministrit në Romë.
Nga ana e tij, zoti Frattini falenderoi Ministrin Panariti për vlerësimin. Ai përshëndeti progresin e bërë nga Shqipëria për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian, me synim marrjen e statusit të vendit kandidat, si dhe siguroi se si një mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, ai do të vazhdojë të mbështesë aspiratën tonë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›