E Diel, 1 Nëntor 2026

Gërdeci, Mediu, i pandehur në Gjykatën e Lartë

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kthehet sërish në Gjykatën e Lartë, si i akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Rreth një muaj pasi dy të dëmtuar gjatë tragjedisë i kërkuan gjykatës të fillojë procedimin penal për ministrin e Mjedisit, gjykata mori dje në shqyrtim kërkesën. Gjykata e Lartë njoftoi zyrtarisht se ka hedhur shortin për caktimin e trupës gjykuese. Padinë e palës së dëmtuar të minorenit të plagosur në Gërdec, Roxhers Durdaj, i përfaqësuar nga i ati, do ta relatojë Arjana Fullani, ndërkohë që bëjnë pjesë në Kolegjin Penal Gani Dizdari, Mirela Fana, Majlinda Andrea dhe Aleksandër Muskaj. Ky është procesi i dytë që do të zhvillohet në Gjykatën e Lartë kundër Mediut. Në procesin tjetër palë paditëse është Alketa Hazizaj. Shorti me gogla ka caktuar si relator gjykatësin Andi Çeliku dhe pjesë të trupës Ardian Nunin, Irma Balën, Evgjeni Sinoimerin dhe Evelina Qiriakon.

Padia

Një dhjetëvjeçar, i cili humbi nënën e tij, Rajmonda, dhe pësoi dëmtime të rënda pas shpërthimit të 15 marsit në Gërdec ka paditur në Gjykatë të Lartë ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Të dëmtuarit janë paraqitur fillimisht në Gjykatën e Tiranës për të depozituar padinë ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, por trupi gjykues, i kryesuar nga Ridvan Hado ka rrëzuar kërkesën e dy të dëmtuarve, çka ka bërë që ata ti drejtohen, brenda pak minutash, Gjykatës së Lartë. Padia është administruar tashmë nga gjykata dhe pritet të hidhet shorti për përcaktimin e gjyqtarëve që do të shqyrtojnë kërkesën e tyre. Pak javë më parë, nëna e 7-vjeçarit Edison Durda, i cili humbi jetën bashkë me 25 të tjerë në tragjedinë e Gërdecit për herë të parë iu drejtua Prokurores së Përgjithshme me padinë për Mediun, duke kërkuar heqje për herë të dytë të imunitetit të tij në Kuvend. Por kryeprokurorja Ina Rama nuk ka kryer asnjë veprim, ndërsa garanton se do të respektohet ligji për këtë çështje. Familjarët e viktimave të Gërdecit kanë përfunduar kalimin në të gjitha gjykatat e të gjitha niveleve në vendin tonë lidhur me padrejtësinë që, sipas tyre, po u bëhet për herë të dytë për të afërmit që humbën jetën. Tashmë Gjykata e Lartë mbetet institucioni i vetëm që ka në dorë përgjigjen përfundimtare për një prej dosjeve më të rëndësishme për drejtësinë në Shqipëri.

Shoqata

Shoqata e familjarëve të viktimave të Gërdecit ka argumentuar ligjërisht padinë e depozituar në Gjykatë të Lartë. Përveç padisë ata i kërkojnë kreut të qeverisë të mbështesë hetimet për vënien para drejtësisë të shkaktarëve të shpërthimit.
“Paraqitëm pranë Gjykatës së Lartë dy kërkesa për të nisur procedimin penal ndaj deputetit Fatmir Mediu, në emër të të plagosurve nga shpërthimi i 15 marsit në Gërdec. Kërkesat e paraqitura janë në emër të Roxhers Durdës (i mitur) dhe Alketa Hazizajt. Këto janë dy kërkesat e para që paraqiten pranë gjykatës prej të plagosurve rëndë, ndërkohë që në ditët në vijim do të paraqiten kërkesat individuale nga të tjerë të plagosur.
Avokati Dorian Matlija që paraqiti pranë Gjykatës së Lartë kërkesat në emër të të plagosurve u shpreh për mediat: “Tragjedia e Gërdecit përveç masakrës njerëzore që shkaktoi humbjen e jetës për 26 qytetarë, dhe përveç katastrofës pasurore që shkatërroi pronën e qindra shqiptarëve të tjerë, nuk duhet harruar që ka shkaktuar me dhjetëra plagosje të rënda, dhe qindra plagosje të lehta. Plagosjet përbëjnë vepër penale, dhe sipas legjislacionit procedural penal nuk ndiqen nga prokuroria, por ndiqen me kërkesë të vetë të dëmtuarit. Ndaj ne vendosëm ti drejtohemi gjykatës për të vënë në lëvizje. Është në të drejtën e të dëmtuarve të kërkojnë hetim dhe gjykim të çështjes dhe deklarimin e fajtorëve nga gjykata. Për këtë çështje të dëmtuarit i drejtojnë gishtin e akuzës deputetit Fatmir Ali Mediu, pasi ka qenë pikërisht urdhri i tij numër 550 datë 25.04.2008 që kurdisi minën me sahat që plasi në Gërdec dhe që krijoi terrenin për situatën kaotike që herët a vonë do të gjente fundin tragjik që gjeti. Jemi të ndërgjegjshëm që për këtë çështje do të duhet autorizimi i mëtejshëm i Kuvendit të Shqipërisë për ndjekje penale, por duke marrë shkas nga deklaratat politike të maxhorancës dhe në veçanti zotit Sali Berisha, që janë shprehur se do të pranojnë çdo kërkesë për heqje imuniteti, mbetemi me shpresën që nuk do të hasim pengesa, dhe vetë Kuvendi do të marrë pjesë në zbardhjen e kësaj çështjeje tragjike dhe në vënien e fajtorëve para përgjegjësisë”.

Imuniteti i Mediut

Prokuroria e Përgjithshme po përgatit dosjen për heqjen e imuniteti të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kërkesa për heqjen e imunitetit të ministrit aktual të Mjedisit do ti drejtohet Parlamentit menjëherë pas plotësimit ligjor të dosjes. Burime nga organi qendror i akuzës bënë të ditur se grupi i prokurorëve po shfrytëzon të gjitha hapësirat ligjore për të rikthyer edhe një herë gjykimin për Mediun, i akuzuar për shpërdorim detyre që çoi në tragjedinë e Gerdecit. Kërksa për heqjen e imunitetit të Mediut pritet ti referohet nenit 292 të Kodit të Procedurës Penale, i cili në dispozitën e tij ka të përcaktuara edhe rastet kur mund të rikërkohet heqja e imunitetit për personat, për të cilët ka një vendim pushimi. Sipas legjislacionit shqiptar duke iu referuar dispozitës që pritet ti referohen prokurorët thuhet se "vendimi i mosfillimit të procedimit, i pushimit ose i pafajësisë të dhënë për shkak të mungesës së ankimimit ose të këkesës së autorizimit për procedim, nuk pengon ushtrimin e ndjekjes penale për të njëjtin fakt dhe kundër të njëjtit person, në qoftë se më pas bëhet ankimimi, jepet autorizimi ose zhduket kushti personal që e bënte të domosdoshëm autorizimin.

Ky lajm është publikuar: 12/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›