Takimi "horror", vret gruan e veten në burg
Viktima e djeshme, në vitin 2002, i ka hedhur një granatë furgonit të policisë që shkoi të arrestonte vëllezërit e tij
POGRADEC- Ndonëse kanë kaluar shumë vjet banorët e Trebinjës në Mokrën e Sipërme e kanë të freskët ngjarjen kur familja Muço është konfrontuar fizikisht me policinë. Në atë kohë Mynir Muço i ka hedhur një granatë policëve që kishin shkuar për të arrestuar vëllezërit e tij. Për këtë veprim ai është dënuar me 20 vite burg, të cilat deri dje i ka vuajtur në Burgun e Peqinit.
Uniformat blu kanë shkuar në vjeshtën e vitit 2002 për të arrestuar dy djemtëLulëzim dhe Bledi Muçon pasi këta të fundit kishin rrahur një kushëririn e tyre, Agim Muçon. Ata janë zënë me kushëririn për një sherr banal kur kanë qenë duke kullotur bagëtitë. Dy vëllezërit kanë kujtuar se kushëriri ka vdekur dhe janë “arratisur” për në Greqi ku kanë jetuar dy vjet e gjysmë.
Në vitin 2002 ata janë rikthyer në fshat por janë përballur me forcat e policisë, të cilat kishin organizuar një operacion për arrestimin e tyre. Në orët e mbrëmjes, policia lokale ka rrethuar shtëpinë e familjes Muço. Thirrjet e policisë për tu dorëzuar kanë marrë përgjigje negative nga ana e dy vëllezërve, të cilët kanë tentuar që të largohen. Në këtë moment policia është hedhur në veprim dhe ka nisur një konfrontim fizik mes dy palëve. Kur forcat e policisë kanë arrestuar Lulëzim dhe Bledi Muçon, Myniri ka dalë nga shtëpia me një granatë në dorë, të cilën ia ka hedhur uniformave blu. Si pasojë e shpërthimit të granatës ka mbetur i plagosur në kokë polici Berti Kosta. Uniformat blu janë detyruar që të zmbrapsen pa arritur të arrestojnë Mynir Muçon.
Vetëm pas një viti ai u arrestua në shtëpinë e tij. Aksioni për kapjen e tij është organizuar nga RENEA e shoqëruar edhe nga një helikopter. Në orën 05.00 të mëngjesit është rrethuar shtëpia dhe është prangosur Mynir Muço, i cili gjatë kësaj kohe ishte dënuar në mungesë me 22 vjet burgim. Menjëherë pas kapjes ai është dërguar në Burgun e Peqinit për të vuajtur dënimin. Bardhyl Berberi
Pas dënimit të Mynirit e shoqja u martua me një person tjetër por familja e burrit e ndaloi
Gruaja tentoi ta linte por kunetërit e kthyen me forcë
POGRADEC- Mynyri ishte baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze. Ai ishte martuar me dashuri me një vajzë nga fshati Slabinjë i Mokrës së Poshtme, Thëllënxën. Banorët e zonës thonë se Mynyri e ka rrëmbyer vajzën nga Slabinja pasi prindërit nuk ishin dakord që t’ia jepnin për nuse.
Në vitin 1997 Mynyri kishte humbur aksidentalisht njërën këmbë. Ai ishte plagosur aksidentalisht me një kallashnikov dhe në njërën këmbë kishte vendosur protezë prej druri. Persona nga fshati Trebinjë, të cilët nuk duan të identifikohen me emër, thonë se motivet e kësaj tragjedie janë të shumta dhe ato filluan pas martesës së saj të dytë dhe largimit nga shtëpia e Muçove. Pas dënimit të bashkëshortit Mynyrit, Thëllënxa largohet nga shtëpia e burrit në Trebinjë dhe martohet në një fshat tjetër të Mokrës. Por martesa e saj e re ka zgjatur vetëm pak muaj. Vëllezërit e Mynir Muços kanë shkuar tek shtëpia e burrit tjetër dhe e kanë rikthyer gruan në shtëpinë e tyre pasi i kanë thënë se “ke detyrime duhet të rrisësh fëmijët e vëllait tonë”. Kjo histori është pohuar nga të afërm të Thëllëzës nga fshati Slabinjë. B. Berberi
Kartela e të Dënuarit
Mynir Ferik Muço
Datëlindjes 19/04/1975
Dënuar 22 vjet burg për mbajtje pa leje të armëve luftarake, tentativë për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
BURGJET
Pas ngjarjes së djeshme ka reaguar zyrtarisht edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila ka pohuar se në bazë të ligjit, të gjithë familjarët e të dënuarve apo paraburgosurve mund të takojnë fëmijët apo të afërmit e tyre që vuajnë dënimin në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale. Burimet kanë pohuar se gjithçka ka ndodhur gjatë takimit special dhe ngjarja është mësuar vetëm kur një polic ka hyrë në dhomë
VIZITA
Në burgun e Peqinit është kryer takimi rutinë i Mynir Muços me gruan, vajzën gjashtë vjeçare , babanë dhe vëllezërit e tij. Pasi ka përfunduar takimi rutinë, më pas çifti ka vazhduar me “takimin special”. “Pas përfundimit të orarit të “takimit special” punonjësi i shërbimit ka kërkuar ndërprerjen e tij, ku ka konstatuar të dy personat në dhomën e takimit të shtrirë pa ndjenja në gjendje të veshur”,- thanë zyrtarët e burgut të Peqinit
HETIMI
Mjeku i burgut ka qenë ai që ka përcaktuar edhe shkakun e vdekjes së Mynir Ferik Muços, 33-vjeç dhe Thëllëza Nazar Muços, 27-vjeç. Në konstatimin paraprak vërejtën që i dënuari Mynir Muço është vetëvrarë me rrymë elektrike. Ndërsa për bashkëshorten mendohet që është mbytur nga i shoqi. Ai ka përdorur një tel për të vrarë bashkëshorten dhe më pas veten e tij. Lidhur me këtë prokuroria po vazhdon hetimet
PROBLEMET
Krerët e Burgjeve pohuan se nga biseda me të atin e Mynir Muços, çifti ka pasur probleme më parë. Ai i ka pohuar se asnjë herë nuk kishte menduar se i biri mund të arrinte në këtë veprim dhe se vdekja ishte e paramenduar. Burgjet kanë shoqëruar babanë e viktimës në vendbanimin e tij dhe po kujdesen dhe mban nën vëzhgim vëllezërit e tjerë, të cilët po vuajnë dënimin në Burgun e Peqinit dhe janë në gjendje normale
Mynir Muço është takuar me familjarët e më pas ka hyrë në dhomë vetëm me të shoqen. Motivi i vrasjes është xhelozia
----------------------------------------------------I dënuari vret gruan e veten në dhomën e “takimit special”
PEQIN- Një i dënuar me 22- vjet burgim ka mbytur dje pasdite bashkëshorten me telin që furnizonte me energji ventilatorin dhe më pas ka vrarë veten duke vendosur të dy duart në shkarkesë elektrike. Ngjarja është regjistruar në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin, në dhomën e takimeve speciale rreth orës 15.50 të ditës së djeshme. Edhe pse burgu duhet të jetë një institucion tepër i sigurtë, Mynir Muço nukka pasur aspak të vështirë vrasjen e të shoqes. Nga hetimet e para rezulton se shkaku i kësaj ngjarjeje të rëndë është xhelozia.
Zbulimi
Kur gardianët e burgut kanë trokitur për të njoftuar se kishte mbaruar orari i takimit, kanë gjetur të shtrirë pa jetë Mynyr dhe Thëllënza Muça 33 dhe 27 vjeç me banim në fshatin Trebinjë të Pogradecit. Mësohet se ngjarja ka ndodhur mes orës 12.00 dhe orës 16.00 periudhë kur dy bashkëshortët kishin fiksuar takimin special. Burri kishte paramenduar gjithçka madje kishte bindur edhe të atin ta sillte në takim pas një viti pa u parë. Mynir Muça i dënuar për tentativë vrasjeje të një oficeri policie dy vjet më parë ka kërkuar të shohë për herë të fundit dy fëmijët dhe ka bërë kërkesë në Drejtorinë e Burgjeve për të pasur një takim special me gruan e tij. Vetëm kur janë gjetur pa jetë dy trupat e bashkëshortëve është zbuluar edhe qëllimi i këtij takimi që ka mbaruar tragjikisht. Dy fëmijë kanë mbetur jetimë dhe dy familje janë tronditur thellë nga kjo ngjarje e rëndë.
Menjëherë është njoftuar Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Prokuroria e Elbasanit për gjithçka që ishte zbuluar.
Hetimet
Fillimisht u mendua për një vetëvrasje të përbashkët por kur u zbuluan shenjat në fytin e gruas u fiksua edhe versioni i vrasjes së gruas dhe më pas vetëvrasjes së 33- vjeçarit. Burime nga Drejtoria e Burgut bëjnë të ditur se 30- vjeçari kishte një vit që nuk e takonte gruan e tij. Ai kishte ardhur rreth dy vjet më parë në Burgun e Peqinit pasi ishte dënuar për sulm me granatë ndaj efektivave të policisë ku mbeti i plagosur një prej punonjësve të policisë. Mësohet se kjo ngjarje ku ishin përfshirë edhe vëllezërit e tjerë të Muçës është marrë përsipër nga ai dhe dënimi ka qenë 22 vjet për shkak të rrethanave cilësuese ku ishte përfshirë një oficer i policisë.
Prokuroria
Një grup ekspertësh të Drejtorisë së Policisë të ndjekur nga Prokurori i gatshëm Binas Nina kanë grumbulluar provat dhe kanë verifikuar paraprakisht se autori i krimit, Mynir Muça, lindur në Trebisht të Pogradecit ka mbytur nëpërmjet kabullit të ventilatorit që ishte në dhomë dhe më pas ka hapur prizën, ka marrë dy telat e energjisë elektrike dhe ka bashkuar duart duke rënë në kontakt me korrentin derisa ka gjetur vdekjen. Rojet e burgut kur kanë hapur derën kanë gjetur njëri mbi tjetrin dy trupat e pajetë të dy bashkëshortëve. Dyshimet e para mbi shkakun që ka sjellë krimin e dyfishtë kanë rënë mbi xhelozinë dhe problemet që po kalonte çifti pas burgosjes dhe pas rrëmbimit të gruas së tij. 33- vjeçari nuk ka mundur ta përtypë këtë fakt si dhe faktin se 27 vjeçarja jetonte prej një viti tek prindërit e saj dhe kishte vendosur të ndahej me të.
Historia
Refuzimet e të shoqes për ta takuar në burg
Pas arratisë së gruas, Mynir Muço ka tentuar disa herë që të takohet me të por ajo nuk ka pranuar. Vetëm pak ditë më parë babai i Mynirit ka arritur të bindë 26 -vjeçaren që jetonte në shtëpinë e prindërve të saj ta takojë burrin në burg. Në këtë takim Mynyri kishte kërkuar edhe dy fëmijët por gruaja kishte marrë vetëm vajzën e vogël gjashtë vjeçare. Pasi është çmallur me prindërit dhe me vajzën ai i ka treguar gruas se kishte kërkuar leje edhe për takim special që tani ishte katër orë. Gruaja megjithëse fillimisht ka ngurruar më pas ka pranuar duke e marrë këtë si shenjë pajtimi pas gjithë atyre që kishin ndodhur. Ende nuk dihet nëse ka pasur një debat mes tyre por mësohet se ata thuajse nuk komunikonin fare as me telefon.
Dibra në Peqin për hetimin e ngjarjes
Menjëherë drejt Burgut të Peqinit është nisur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra. Nisur nga ky krim i dyfishtë i regjistruar brenda mureve të burgut, kreu i Burgjeve ka kërkuar të sqarohet menjëherë ngjarja dhe të verifikohen të gjitha rrethanat në të cilat është regjistruar vrasja. Edhe pse Dibra nuk ka dashur të bëjë koment pasi ka qëndruar përreth tre orë brenda Burgut, interesi i tij për këtë ngjarje ka qenë i madh madje është parë edhe juristi i Drejtorisë së Burgjeve i cili ka marrë pjesë në verifikimin e procedurave të zhvillimit të takimit special që përfundoi me vdekjen e dy personave. Drejtori iPërgjithshëm ka kërkuar bërjen e ekspertizës së trupave në Tiranë dhe vetëm rreth orës 20.40 dy trupat njëri afër tjetrit janë nisur nëpërmjet një autoambulance drejt Tiranës.