Rusia kërkon ndryshimin e mandatit të OSBE-së në Gjeorgji
Vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë mund të patrullojnë vitin e ardhshëm në Gjeorgji vetëm nëse mandati i tyre ndryshohet për të marrë parasysh shqetësimet e Moskës. Njoftimi është bërë sot nga Ministria e Jashtme ruse.
OSBE-ja deklaroi dje se do të fillojë të mbyllë misionin e saj në Gjeorgji më 1 janar, pasi Rusia nuk pranoi të zgjaste mandatin ekzistues për shkak të një mosmarrëveshjeje për statusin e Osetisë së Jugut, një rajon separatist i Gjeorgjisë i përkrahur nga Moska.
"Mandati nuk mund të funksionojë, as në kuptimin praktik dhe as në atë ligjor", deklaroi ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov.
Ai deklaroi në një konferencë shtypi se Rusia ka paraqitur një planpër një mandat të ri për OSBE-në, vëzhguesi kryesor i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut në Europë, dhe ishte tani në dorën e anëtarëve të tjerë të organizatës ta miratonin atë.
Shtetet perëndimore theksojnë se vëzhguesit e OSBE-së që patrullojnë zonën e konfliktit të Gjeorgjisë me Osetinë e Jugut mund të sigurojnë paralajmërime të parakohshme për një shpërthim të ri të luftimeve dhe të hetojnë pretendimet për shkelje të të drejtave të njeriut kundër gjeorgjianëve etnikë. (atsh)