E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi i gazetarëve serbë-shqiptarë, "ok" bashkëpunimit reciprok

Kreu i Unionit të Gazetarëve të Rajonit të Gjirokastrës, Piro Nase, ka zhvilluar një vizitë dhjetë ditore në Serbi me ftesë të presidentit të Press Vitez Festival, dr Igor Aleksic. Ky i fundit e kishte emëruar zotin Nase si pjesë e jurisë ndërkombëtare në Press-Vitez Festival, i cili konsiderohet si një ndër evenimentet më të rëndësishme në Serbi, ku konkurrohet në zhanre të ndryshme të gazetarisë televizive me karakter investigativ. Në këtë festival, konkurroi edhe korrespodenti i Top Channel për jugun e Shqipërisë, Arjan Xhani, i cili u vlerësua nga juria e festivalit me çmimin e parë për gazetarinë hulumtuese kurajoze. Në festivalin që u organizua në Novi Sad në qytetin e dytë më të madh në Serbi pas Beogradit, konkurronin gazetarë nga televizione lokale e rajonale nga Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Rumania, Bullgaria, Sllovakia, Bosnjë- Hercegovina dhe për herë të parë edhe nga vendi ynë. Duke parë rëndësinë e aktiviteteve të tilla, zoti Nase ka kërkuar nga organizatorët që edhe në evenimentet vijuese, gazetarët shqiptarë të kenë të drejtën të konkurrojnë me punët e tyre, kërkesë kjo që u mirëprit nga presidenti i festivalit dr Igor Aleksic. Gjatë takimit që u zhvillua në Beograd mes kreut të Unionit të Gazetarëve të Gjirokastrës dhe kryetarit të Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë, Nino Brajovic, zoti Nase ka rënë dakord me idenë e hedhur nga homologu serb për organizimin e projekteve të përbashkëta për zhvillimin e mediave në të dy vendet dhe shkëmbimin e informacioneve. Njëkohësisht trajnimi i gazetarëve shqiptarë në seminare të ndryshme që zhvillohen periodikisht në Serbi nga organizma vendase dhe ndërkombëtare, ka qenë pjesë e bisedës mes krerëve Brajovic dhe Nase. Shkolla e gazetarisë në Novi Sad është shembulli më i mirë për studimin apo dhe trajnimin e gazetarëve shqiptarë. Zoti Nase ka shprehur gatishmërinë për përzgjedhjen e gazetarëve shqiptarë, të cilët do të studiojnë apo trajnohen në Serbi me financime nga programe të ndryshme ndërkombëtare. Ndërkohë zoti Brajovic, ka pranuar ftesën e kreut të Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë Aleksandër Çipa për një vizitë në vendin tonë, duke e falenderuar zotin Cipa për këtë cka sipas tij është shenjë e ekzistencës së një klime bashkëpunimi mes dy organizmave. Vizita e zotit Nino Brajovic në Tiranë dhe Gjirokastër, do të realizohet në një kohë të përshtatshme.

Email This Klikime: 3

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›