E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi i kryeministrit Berisha me ministrin danez Wammen

Mbështetja dhe ndihma që Danimarka i ka dhënë Shqipërisë në 20 vitet e rrugëtimit drejt demokracisë si dhe mbështetjen e pakursyer për antarsimin në NATO dhe liberalizimin e vizave ishte një nga çështjet kryesore të diskutuara në takimin që Kryeministri Berisha zhvilloi sot me Ministrin për Çështjet Evropiane të Danimarkës zotin Nicolai Wammen.
Në vijim të interesit të ministrit danez Wammen për reformat e ndërmarra dhe zbatimin e tyre si kusht i rëndësishëm për avancimin e Shqipërisë drejt BE-së, Kryeministri pasi theksoi se procesi i integrimit për Shqipërinë duhet të jetë i bazuar në meritë dhe përmbushjen e 12 prioriteteve, i bëri atij një ekspoze të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në ekonomi, në adoptimin dhe zbatimin e kornizës ligjore të nevojshme për integrimin evropian, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në mënyrë të vecantë Kryeministri u ndal tek reforma zgjedhore, ajo e rregullores së Parlamentit dhe ajo në drejtësi. Ai u shpreh se pas bllokimit më shumë se 2 vjeçar tashmë puna midis mazhorancës dhe opozitës i është kthyer normalitetit. Kryeministri theksoi se ndërkohë që janë miratuar ligjet me shumicë të cilësuar të kërkuara në 12 prioritetet, po bëhen të gjitha përpjekjet për përmbylljen me sukses të reformës zgjedhore bazuar plotësisht ne rekomandimet e OSBE / ODIHR , asaj parlamentare etj.
Nga ana e tij, ministri Wammen e falenderoi kryeministrin për ekspozenë,vlerësoi zhvillimin  e jashtëzakonshëm të Shqipërisë, reformat e ndërmarra si dhe u shpreh se puna duhet të vazhdojë për përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit.
Në takim Ministri Wammen ngriti çështjen e deklaratës së fundit të bërë nga Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe zëvëndësministëri i Mbrojtjes zoti Ekrem Spahia për ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulta në vendin tonë zoti Henk Van den Dool. Kryeministri theksoi se kjo deklaratë është një qëndrim krejtësisht personal i zotit Spahia dhe tërësisht i papranueshëm e që nuk shpreh qëndrimin zyrtar dhe vlerësimin më të lartë të qeverisë shqiptare për rolin dhe kontributin e ambasadorit të Mbretërisë së Vendeve të Ulta si përfaqësues i një vendi mik siç është Mbretëria e Bashkuar ndaj të cilës ka një mirënjohje të thellë për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›