Prokuroria ka rikthyer dosjen ne polici per prova te reja

Pas dështimit për të dërguar çeshtjen në gjykatë për Ilia Bashon, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, prokuroria ka rikthyer dosjen në polici për të mbledhur prova të reja. Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se pavarsisht së Basho doli nga burgu për mungesë provash ai vijon të mbetet i dyshuari kryesor për vrasjën e bashkëshortes së tij Eleni Bashos. Basho u lirua nga burgu të hënën pas dërgimit të kërkësës në gjykatë nga prokuroria që të lirohej pasi nuk kishte prova për ta mbajtur në qeli. Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se për vrasjen e Eleni Bashos tashmë e dyshuar është edhe Yllka Shehaj, vajza e cila u cilësua si shkak i problemeve mes çiftit Eleni dhe Ilia Basho, për shkak të lidhjes intime që kishte krijuar me këtë të fundit. Prokuroria kishte administruar si provë mesazhet e gjetura në telefonin e bashkëshortit të viktimës por duke mos gjetur motivin dhe shkakun që mund të kenë çuar Ilia Bashon në eleminimin fizik të bashkëshortes, mesazhet e humbin kuptimin dhe nuk mund të provojnë fajësinë e këtij të fundit. Ndërkohë që hetimet vazhdojnë Ilia Basho ndodhet në shtëpinë e tij dhe mësohet se marrëdhëniet me familjen e bashkëshortes së tij vazhdojnë të jenë të ftohura. 38 vjeçarja Eleni Basho u ekzekutua në shkurt të këtij viti vetëm pak metra larg shtëpisë së saj.