Takimi në distancë që shkaktoi shumë reagime, mediat hedhin dritë mbi arsyet pse Macron u ul larg Putin

Presidenti francez Emmanuel Macron refuzoi një kërkesë të Kremlinit që ai të bënte një test rus për COVID-19 kur mbërriti për të takuar Presidentin Vladimir Putin këtë javë, me qëllim që Rusia të mos merrte ADN-në e tij.
Si rezultat, kreu i shtetit francez u mbajt në distancë nga lideri rus gjatë bisedimeve të gjata për krizën në Ukrainë në Moskë.
Ata u fotografuan në skajet e kundërta të një tavoline aq gjatë sa që shkaktoi komente satirike në mediat sociale dhe spekulime, përfshirë nga diplomatët, se Putini mund ta përdorte atë për të dërguar një mesazh.
Por dy burime që kanë njohuri për protokollin shëndetësor të presidentit francez i thanë Reuters se Macron-it i ishte dhënë një zgjedhje: ose të pranojë një test PCR të bërë nga autoritetet ruse dhe të lejohet të afrohet me Putin ose ta refuzonte dhe si pasojë të zbatonte rregulla më të rrepta distancimi.
“Ne e dinim shumë mirë që kjo do të thoshte mos shtrëngim duarsh dhe atë tryezë të gjatë. Por nuk mund të pranonim që ata të merrnin ADN-në e presidentit,” i tha Reuters një nga burimet, duke iu referuar shqetësimeve të sigurisë nëse lideri francez do të testohej nga mjekët rusë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov konfirmoi se Macron e kishte refuzuar testin dhe tha se Rusia nuk kishte asnjë problem me këtë, por kjo do të thoshte se kërkohej një distancë 6 metra nga Putin për të mbrojtur shëndetin e udhëheqësit të Kremlinit.
Reuters raporton se Macron bëri një test PCR francez përpara nisjes dhe një test antigjeni të bërë nga mjeku i tij një herë në Rusi.
“Rusët na thanë se Putini duhej të mbahej në një hapësirë të rreptë shëndetësore,” tha një burim.
Të enjten, tre ditë pasi Macron dhe Putin patën takimin e tyre në distancë sociale, udhëheqësi rus priti presidentin kazak Kassym-Jomart Tokayev. Të dy shtrënguan duart dhe u ulën afër njëri-tjetrit, të ndarë vetëm nga një tavolinë e vogël kafeje.
/rtsh.al/