Gjykata gjermane: Urdhri që detyron punonjësit e kujdesit shëndetësor të vaksinohen duhet të zbatohet

Gjykata Kushtetuese, që është gjykata më e lartë në Gjermani, bëri të ditur këtë të premte se urdhri që u kërkon punonjësve të kujdesit shëndetësor të paraqesin prova se janë të vaksinuar plotësisht ndaj COVID-19 ose janë shëruar së fundmi nga sëmundja do të zbatohet ashtu siç është planifikuar, duke filluar nga data 15 mars.
Kundërshtarët e urdhrit në fjalë kishin një peticion për të shtyrë zbatimin e tij, që u hodh poshtë nga gjykata. Vendimi I së premtes u përqendrua mbi faktin nëse urdhri duhet të vijonte të zbatohej, por gjykata do të vendosë në një datë të mëvonshme nëse lëvizja është apo jo në përputhje me kushtetutën.
Urdhri synon të mbrojë personat që janë më të rrezikuar nga sëmundja. Përjashtime nga ai do të kenë vetëm persona të cilët për arsye mjekësore nuk mund të vaksinohen. Nëse punonjësit e shëndetit nuk paraqesin vërtetim se janë vaksinuar apo kanë kaluar së fundmi sëmundjen, për ta do të vihen në dijeni autoritetet shëndetësore, të cilët më pas mund të vendosin që këta persona nuk do të lejohen të hyjnë në ambientet e punës apo edhe nuk do të vijojnë të ushtrojnë profesionin e tyre.
/rtsh/