Rangnick për Ronaldon: Duhet të shënojë më shumë

Ai është golashënuesi më i mirë i Manchester United me 14 gola, ka shënuar 688 me klubet, të cilave u duhet shtuar 115 me Portugalinë dhe ndoshta kurrë më parë nuk është ankuar askush për aftësitë e tij në shënim. Deri sot, kur menaxheri i Djajve të Kuq, Ralf Rangnick e kritikoi publikisht.
“Ronaldo duhet të shënojë më shumë gola, sigurisht, sepse ne po krijojmë raste, por ai nuk ka shënuar mjaftueshëm – fjalët e tij në prag të sfidës me Southampton -. Por nuk është problem vetëm i Cristianos. Kjo ndodh edhe me lojtarët e tjerë. Ne nuk po shënojmë mjaftueshëm. Shikoni të gjitha mundësitë që kemi krijuar, ne duhet të përmirësohemi në javët në vijim”.
Ndërsa në bregun tjetër City vazhdon të fluturojë, një tjetër mosmarrëveshje midis Rangnick dhe Ronaldos është vënë në skenë te United. Nuk është mister që të dy mezi durojnë njëri-tjetrin, aq sa fenomeni portugez do të kishte shprehur idenë e largimit nga Manchester në fund të sezonit nëse gjermani do të konfirmohej në pankinë.
Fjalë që CR7 sigurisht nuk do t’i ketë pëlqyer, edhe pse objektivisht nuk po kalon një moment pozitiv, duke qenë se ka 5 ndeshje radhazi që nuk gjen rrugën drejt golit, gjë që nuk kishte ndodhur që nga viti 2013.
Problemi i golit është real, aq sa skuadra gjendet në vendin e gjashtë në shoqërinë e Arsenalit dhe gjithashtu duhet të shikojë pas shpine nga Tottenham. Zona e Champions është brenda rrezes, por pa golat e CR7 duket shumë e vështirë.