Dekreti për Leskajn, Paloka: Mendimi ynë është pozitiv
Ndryshe nga kandidatura tjetër, ajo e Sali Shehut, ku deputetët demokratë nuk hezituan të japin qëndrimin e tyre, që ditën kur u dekretua nga Presidenti i Republikës, kësaj here ka një lloj stepjeje nga grupi parlamentar i PD-së.
TIRANË Edi Paloka ishte zëri i parë publik nga radhët e demokratëve, që mbështeti dje kandidaturën e Bujar Leskajt për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në një deklarim për mediat, Paloka tha se nuk ka ende një vendim zyrtar nga ana e grupit parlamentar demokrat për këtë kandidaturë, porse ai personalisht mendonte se Leskaj ishte një figurë pozitive për të drejtuar institucionin më të lartë të Kontrollit të Shtetit.
“Do të merret një vendim grupi, si gjithmonë për raste të tilla, dhe pas atij vendimi të grupit do të veprohet. Për z. Leskaj, personalisht unë mendoj që mendimet janë mjaft pozitive”, - tha dje Paloka. Në fakt, ndryshe nga kandidatura tjetër, ajo e Sali Shehut, ku deputetët demokratë nuk hezituan të japin qëndrimin e tyre që ditën kur u dekretua nga Presidenti i Republikës, kësaj here ka një lloj stepjeje nga grupi parlamentar i PD-së. Megjithatë, Paloka paralajmëroi dje se ka një mendim pozitiv për këtë kandidaturë, duke i paraprirë mundësisë për një votim pro dekretit për Leskajn. Ndërkohë, partitë e vogla në koalicion me Berishën e kanë thënë fjalën e tyre, ndërsa pritet kthimi i Kryeministrit nga Izraeli për të përcaktuar qartë edhe qëndrimin që do të mbahet ndaj këtij dekreti. Në anën tjetër, PS-ja e ka marrë vendimin për të votuar kundër kandidaturës së Bujar Leskajt me argumentin se ajo është një kandidaturë politike, edhe pse ky fakt nuk i pengoi ata që të abstenonin për dekretin e rrëzuar tashmë, atë të Sali Shehut. Duke iu referuar CV-së së tij, Bujar Leskaj mban gradën shkencore “Doktor i Shkencave Ekonomike”. Ai ka mbaruar tri universitete; fakulteti Gjeologji-Miniera në vitin 1990; fakulteti i Ekonomisë, dega Financë në vitin 1998, dhe fakultetin e Drejtësisë në 2002. Në CV-në e Leskajt renditen edhe disa specializime pasuniversitare. Ai ka botuar disa libra, ndërkohë që prej vitit 1997 Leskaj është anëtar i PD-së. Në 2001-2005, anëtar i Bordit financiar të PD-së dhe prej disa vitesh anëtar i Këshillit Kombëtar. Në periudhën 2005-2009, Leskaj ka qenë deputet i PD-së në zonën zgjedhore 49 në qarkun e Vlorës, ku mori 6 272 vota. Për periudhën shtator 2005 – mars 2007, Leskaj ka mbajtur edhe postin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.