E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi per transferimin e pyjeve dhe kullotave ne varesi te pushtetit vendor

Dhënia e pyjeve dhe kullotave pronarëve, si përcaktimi i kritereve më të drejta të shfrytëzimit, menaxhimit, qëndrimit ndaj tyre është synimi kryesor mbi të cliën po punon qeveria aktuale dhe institucionet e lidhur me një proces të tillë. Kështu, në funksion të marëvajtjes së këtij procesi sot u zhvillua takimi me pjesëmarrjen e ministrive dhe institucioneve të ngarkuara për zbatimin e procesit të transferimit të pyjeve dhe kullotave në varësi të pushtetit vendor, me qëllim përshpejtimin dhe realizimin me sukses të tij procesi. Në fjalën e tij në këtë takim kryeministri, Sali Berisha duke e vlerësuar pozitive përvojën e administrimit të pyjeve dhe kullotave nga pushteti vendor, theksoi se mbetet ende një punë e madhe për të bërë në drejtim të përmirësimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të kësaj eksperience.
“Pyjet janë një pasuri e madhe kombëtare e çdo vendi. Sot ato marrinë një rëndësi të jashtëzakonshme në një kohë kur planeti përballet me ndryshime të mëdha të klimës dhe faktikisht pyllëzimi dhe pyjet janë një levë e fuqishme për të mundur që të ndikohet në zvogëlimin e pasojave të rënda të këtij fenomeni.” u shpreh Kryeministri.
Në vlerësimin e kreut të ekzekutivit është shumë e rëndësishme përcaktimi sa më parë i sipërfaqeve pyjore, të cilat do të mbeten publike.
“Qeveria nuk do të mund të ketë më shumë se 10 % të pyjeve. U takon ju, së bashku me institucionet e varësisë të përzgjidhni këtë 10 % se cila do të jetë, por më shumë se kaq nuk mund të administrojë. Ky është një standard kudo në vendet e BE. Ky standard është që pyjet u përkasin komunave dhe bashkive”, vuri në dukje kryeministri Berisha.
Duke ritheksuar nevojën e transferimit sa më të shpejtë të pyjeve dhe kullotave, pushtetit vendor, si dhe përshpejtimin e procesit të privatizimit të pyjeve, shefi i qeverisë tha se “do të bëhen të gjitha përpjekjet që viti 2012 ta gjejë Shqipërinë një nga vendet me pronësitë publike më të ulëta në Evropë”.
Gjithashtu, nisur nga fakti se çdo sipërfaqe toke në vendin tonë mund të shfrytëzohet për mbjellje, Kryeministri theksoi se duhen bërë të gjithë përpjekjet për të zhvilluar konceptin e pyjeve me drurë frutorë. “Duhet të përpiqemi të zhvillojmë konceptin e pyjeve me drurë frutorë. Ky koncept dora-dorës po merr zhvillim dhe në botë. Kjo metodë pyllëzimi po fiton gjithnjë e më tepër të drejtën e qytetarësisë. Ne do të bëjmë gjithçka, që ku të mbillet të prodhohet”, u shpreh Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›