E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimin e ndërprerë në Kumanovë e fitojnë shkupjanët

Kumanovë - Pas incidentit që ndodhi të mërkurën e kaluar në stadiumin e Bashkimit në Kumanovë, pikët e kësaj ndeshje në mënyrë zyrtare i kanë takuar Vardarit. Kështu ka vendosur Kryetari i Komisionit për gara, Mile Spirkovski. "I kemi grumbulluar materialet që kanë ardhur nga Sektori i Punëve të Brendshme në Kumanovë. Aty thuhet se në ‘tunelin' e Bashkimit, ka pasur sulm fizik ndaj lojtarëve të Vardarit nga ana e personave jozyrtarë dhe rezultati është 3:0 për Vardarin. Bashkimi
nuk është fajtor, por ka pasur lëshim në planin organizativ. Sipas të dhënave që posedojmë në zhveshtoret e Bashkimit ka pasur persona jozyrtarë, të cilët nuk e kanë pasur vendin aty, dhe kanë sulmuar lojtarët shkupjan", ka thënë Spirkovski, duke shtuar se skuadrës së Bashkimit, do t'i suspendohet edhe fusha, por jo më shumë se dy ndeshje.
Nga ana tjetër ndihmëstrajneri i Bashkimit, Jusufi ka thënë se një vendim i tillë nuk është i drejtë.
"Nuk po mundem të kuptoj se si është e mundur, Vardari të braktisë fushën dhe mos të paraqitet në lojë dhe të fitojë me rezultat zyrtarë 3:0", tha Jusufi. Ai më tej ka shtuar se ky vendim nuk është i pranueshëm për stafin teknik dhe kryesinë e Bashkimit.

Rijad Murati

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›