Berluskoni: “Ronaldinjo, Usain Bolt i Milanit”
Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, i “kënaqi” gazetarët kur tha se “Ronaldinho është Usain Bolt i Milanit”. Milani i tij fitoi trofeun “Berluskoni”, një kupë e organizuar për nder të të atit të padronit kuqezi. Milani ndali serinë e rezultateve negative, duke fituar trofeun pas gjuajtjeve të 11-metërshave, pasi 90 minutat dhanë përfundimin e barabartë 1-1, me golat e dy brazilianëve, Diego për Juventusin dhe Pato për Milanin. Berluskoni e tha qartë: “Ronaldinjo duhet te impenjohet më shumë, por dhe të zhvendoset më përpara, pasi magjia e tij shërben shumë në zonë. Ai është Usain Bolt i Milanit”.
LEONARDO – Presidenti Silvio Berluskoni e mbylli zyrtarisht merkaton, teksa goditja e madhe ishte sulmuesi holandez Klas Jan Huntelar. Tashmë i ka mbetur trajnerit Leonardo të bëjë punën e tij. “Kam marrë disa tregues pozitivë. Mbrojtja punoi mirë, Gatuzo është shumë pranë nivelit të tij më të mirë. Me cilësinë që ka skuadra loja mund të ndryshojë taktikisht gjatë 90 minutave”.
KLUBI – “Shpërblimet e lojtarëve janë jashtë realitetit, duhet ndërhyre për të vendosur çati pagesash”, - tha kryeministri italian, Silvio Berluskoni. Sipas padronit të Milanit, pagesat janë larg realitetit ekonomik në të cilën jetojmë dhe në një moment të vështirë si ky janë jashtë çdo parametri. Berluskoni hodhi poshtë çdo mundësi të shitjes së klubi të Milanit, duke thënë me shaka se do ta shiste atë pas 100 vjetësh.
INTERI - Shënuan dy brazilianet që ishin edhe më të miret në fushë, por sipas medieve italiane, fusha tregoi se një i tretë ka dalë “fitues”, Interi i Mourinjos. Futbolli në prag të kampionatit vazhdon, por disa përfundime mund të nxjerrësh. Ideja që krijohet është se diferenca e Interit me rivalët e tjerë është thuajse e njëjtë me sezonin e kaluar. Largimi i Ibrahimoviçit duket se nuk e ka dëmtuar shumë Interin, pasi ka ardhur Samuel Eto’o, për më tepër që Interi i Murinjos është pjekur më shumë.
UEFA kundër çatisë së pagave
“Jo’ kufizimit të pagesave, ‘po’ për licenca ekonomike vetëm për klubet që janë në rregull me llogarit e tyre”. Kjo është receta që propozon UEFA, qeveria europiane e futbollit. “Shëndeti financiar i klubeve dhe mjetet për të rregulluar shpenzimet përfaqësojnë një prioritet për UEFA-n”, - tha Robert Faulkner, kreu i zyrës së shtypit. UEFA është duke përgatitur një projekt për të shmangur borxhet e klubeve.
19 Gusht 2009