E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksa e hyrjes - “Rama do të vendosë viza për të hyrë në Tiranë”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Mbledhje qeverie

Kryeministri Berisha u shpreh në mbledhjen e qeverisë, kundër propozimit të Bashkisë së Tiranës për vendosjen e një takse për hyrjen në Tiranë, duke e konsideruar atë një ide feudale dhe të pamenduar. “Ideja e taksës për hyrjen në Tiranë është ide më feudale se feudalizmi. Kjo ide është një lloj regjimi vize, i pashpallur. Nuk e di se ku e ka gjetur kryetari i Bashkisë këtë ide, por është e pabesueshme. Në konceptin e vërtetë, aksionerë në kryeqytetin e vendit janë të gjithë qytetarët shqiptarë. Si qytetari shqiptar që jeton mbrapa Dajtit, ashtu edhe ai që jeton në shpatet e Çajupit apo të Shkëlzenit, të gjithë kanë pikëzat e djersës së tyre në këtë kryeqytet. Është jashtë çdo imagjinate që targat e kamionëve, mikrobusëve, autobusëve të tatohen me 1 mijë lekë për çdo hyrje në kryeqytet. Kjo, absolutisht, nuk mund të ndodhë. Kjo ka ndodhur në kohën e principatave. Ne kemi hequr edhe 1 euro-n që kishim vendosur për të hyrë në Shqipëri dhe ta vendosësh taksë për të hyrë në kryeqytet është tmerrësisht e pamenduar. Prandaj, e donte kryetari i Bashkisë edhe mbikalimin-bunker në Zogun e Zi. Ndaj, nuk do të lejohet të ndërtohet asnjë lloj barriere. Nuk dua t i ndërhyj në kompetenca, por në Tiranë janë aksionerë jo vetëm 3.4 milionë shqiptarë, por është aksioner mbarë kombi shqiptar. Kjo çështje, duhet të diskutohet me kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe, në rast se ka nevojë për fonde mbi bazë projektesh, qeveria rrit fondin. Këtë ne e bëjmë për çdo qeveri vendore”, - nënvizoi Kryeministri. Berisha theksoi se partneriteti me qeveritë vendore është një nga zhvillimet më pozitive, të e krijuara në këto 4 vite. “Një nga zhvillimet më të mëdha e pozitive të këtyre 4 viteve, ka qenë ky partneritet që ne vendosëm me qeveritë vendore, meritat e tyre në investime në tërësi. Nuk them se nuk ka pasur defekte, por, nëse janë ndërtuar me mijëra kilometra rrugë rurale, pa pjesëmarrjen e kontributin e qeverisë vendore, sot nuk mund të ecnin aq mirë. Këtë praktikë të re, që kaluam nga çakëlli tek asfalti, nga moskomunikimi tek partneriteti me qeveritë vendore, e kemi një trashëgimi shumë pozitive”, - përfundoi shefi i mazhorancës, Berisha.

Ky lajm është publikuar: 02/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›