E Diel, 1 Nëntor 2026

Kufij ujorë në Jon, zbardhet marrëveshja Shqipëri-Greqi

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Është nënshkruar, duke rënë dakord për gjithçka, marrëveshja për vendosjen njëherë e përgjithmonë të kufijve ujorë detarë midis Greqisë dhe Shqipërisë për bregdetin e Jonit, marrëveshje e cila ka mbyllur, njëherë e përgjithmonë, çështjen e njohjes së kufijve tokësorë dhe detarë, çështje e pavendosur që nga Lufta e Parë Botërore. Marrëveshje kjo e sigluar tashmë që në datën 20 mars të këtij viti. Ajo është konsideruar, sipas burimeve diplomatike greke, e një rëndësie të veçantë, sepse përfshin dispozitat e Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi “Ligjin dhe Detin”, të cilën të dy vendet e kanë ratifikuar tashmë. Kjo është mënyra më e mirë e njohur si “Konventa e Gjirit Montego”, e cila e përcakton vijën kufitare ujore ndërkombëtare në 12 milje detare për çdo shtet si dhe ishujt e tyre me vijën e tyre kufitare ujore. Negociatat ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë për caktimin e kufijve, në ujorë kontinentalë dhe zonat e tjera detare, zgjatën rreth një vit për t u arritur në një emërues të përbashkët nga të dyja palët. Sipas burimeve të Ministrisë së Jashtme Greke, në rajonet ku distanca midis brigjeve të të dy vendeve është më pak se 12 milje detare nga kufiri ujor kontinental, është vendosur përfundimisht në bazë të linjës së mesme. Marrëveshja përcakton:
së pari, Shqipëria i njeh të drejtën e sovranitetit dhe në ujërat territoriale të vijës ndërkombëtare detare, respektivisht në ishujt e Korfuzit, Othonoi, Ereikousa, si dhe disa shkëmbinj të vegjël dhe në këtë zonë. Ndërsa sipas po të njëjtave burime të Ministrisë së Jashtme Greke, për sa i përket palës shqiptare ajo do të përfitojë rikthimin e njohjes së ishullit të Sazanit nga pala greke, territorin e tij dhe hapësirën 12 milje nga të gjitha kordinatat e daljes në det. Gjithashtu, edhe disa ishuj të vegjël dhe shkëmbinj të ndryshëm në zonën bregdetare nga Vlora deri në Konispol. Një nga përfitimet më të mëdha të Greqisë nga kjo marrëveshje është kalimi në pronësi të saj i Fanarit në mesin e kanalit të Korfuzit, i cili sipas historianëve dhe gjeologëve shqiptarë ka shërbyer përpara Luftës së Dytë Botërore si manastir. Vlen të përmendet se ky Fanar është lënë në ujërat ndërkombëtare, pra të asnjërit për rreth 53 vjet, dhe me incidentin e Korfuzit më 1946, ky objekt që shërbeu më pas si Fanar për anijet, është administruar nga Britania e Madhe në kuadër të forcave të NATO-s me bazë në ishullin grek. Në të njëjtën kohë, Greqia është në vazhdim të negociatave me Egjiptin, Libinë dhe për caktimin e kufirit ujor kontinental, të vendeve me të cilat ajo ka kufij detarë. Një marrëveshje të tillë e ka nënshkruar tridhjetë vjet më parë, vetëm me Italinë. Debati mbi vendosjen e kufirit detaro-ujor midis dy vendeve që kishte çuar në një ndarje midis shteteve, rinovohet në vitet e fundit për shkak të interesit të kërkimeve për hidrokarburet detare në bazë të depozitave që nevojiten për të ngritur zona ekonomike të veçanta. Për sa i përket ceremonisë zyrtare të nënshkrimit të marrëveshjes dypalëshe, ajo pritet të bëhet javën që vjen, pas ceremonisë së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nga dy ministrat e Jashtëm, ai shqiptar, Lulëzim Basha, dhe ajo greke, Dora Bakojanis. Ministrja e Jashtme Greke, e cila vjen për herë të tretë në Shqipëri, do të qëndrojë sipas protokollit zyrtar të saj tri ditë në Shqipëri dhe do të vizitojë edhe zonat në Jug të Shqipërisë, Himarë, Sarandë dhe Butrint. Kontrata nuk është ratifikuar nga Turqia, e cila mohon se dispozitat janë të aplikueshme në Egje.

Përmbajtja e marrëveshjes
Së pari, Shqipëria i njeh të drejtën e sovranitetit dhe në ujërat territoriale të vijës ndërkombëtare detare, respektivisht në ishujt e Korfuzit, Othonoi, Ereikousa, si dhe disa shkëmbinj të vegjël dhe në këtë zonë. Ndërsa sipas po të njëjtave burime të Ministrisë së Jshtme Greke, për sa i përket palës shqiptare ajo do të përfitojë rikthimin e njohjes së ishullit të Sazanit nga pala greke, territorin e tij dhe hapësirën 12 milje nga të gjitha kordinatat e daljes në det. Gjithashtu, edhe disa ishuj të vegjël dhe shkëmbinj të ndryshëm në zonën bregdetare nga Vlora deri në Konispol.

Fjalimi i Jorgo Papandreut në Parlament për “Vorio Epirin”
“Vorio Epiri është pjesë e pashkëputshme e vatanit grek, e vulosur nga varret e të heronjve tanë. Ajo që mbi të gjitha kanë detyrim të gjitha qeveritë e ardhshme greke është që çështja e “Vorio Epirit” duhet të qëndrojë mbi të gjitha të tjerat. Dhe ajo që ndalohet ndër shekuj të bëjmë është harresa dhe mosnjohja e kësaj kauze të shenjtë. Pretendimi ynë për “Vorio Epirin” është i shenjtë dhe i paprekshëm”, - ka përfunduar në fjalën e vet në Parlamentin helen kreu i PASOK-ut, Jorgos Papandreu.

Komentet e medias greke
Mediat greke nuk e kanë lënë pa komentuar marrëveshjen në fjalë duke pasur sensacione pozitive dhe negative mbi këtë marrëveshje. Gazeta prestigjoze “Kathimerini”, e cila vjen edhe në Shqipëri, ka trajtuar në mënyrë profesionale këtë çështje, duke dhënë vetëm informim për publikun dhe duke bërë të qartë detajet e kësaj kontrate. Ndërsa një nga gazetat më të mëdha të ishullit të Korfuzit, ka shkruar me tone të ashpra dhe ngjyrime nacionaliste dhe megalomane duke e lidhur marrëveshjen në fjalë me çështjen e “Vorio Epirit”. Shprehimisht, në një nga titujt e saj thuhet: “Shteti grek braktis “Vorio Epirin” dhe disa ishuj të vegjël”, si dhe “Tani çamët do të na kërkojnë tokat”. Madje, kjo gazetë ka shkuar akoma më tej duke iu referuar një fjalimi të kreut të opozitës greke dhe kryetarit të PASOK-ut, Jorgo Papandreu, në parlamentin grek për çështjen e “Epirit të Veriut”.

Reagimi i OMONIA-s
Sipas medias greke, nënshkrimi i marrëveshjes ka pasur reagime të forta nga qarqe të ndryshme në minoritet dhe anëtarë të organizatës OMONIA, i cilët i kanë cilësuar veprimet e ministres së Jashtme helene, Dora Bakojanis, për këtë çështje, kundër politikës së vërtetë të jashtme që duhet të mbajë shteti fqinj. Me mbërritjen e saj në Shqipëri, mediat greke informojnë se organizata e OMONIA do të reagojë me një protestë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje nga Parlamenti grek dhe nënshkrimi i saj në Tiranë.
Ky lajm është publikuar: 02/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›