E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimi me karburantet, 80% e distributorëve të pakicës vjedhin konsumatorët

Raporti i Inspektoratit konfirmon vjedhjen në 4 mënyra. Gjatë vitit 2008 janë bërë 1815 kontrolle në pikat e tregtimit

Ervin Koçi

Konsumatori shqiptar humbet rreth 150 milionë euro çdo vit, si rezultat i abuzimit të tregtarëve të pakicës të karburanteve në vend. Një kosto marramendëse shtesë u faturohet konsumatorëve, bizneseve dhe ekonomisë shqiptare në përgjithësi, nga cilësia, sasia dhe çmimi i karburanteve në vend, në një kohë që kjo sasi e madhe parash futet abuzivisht dhe pa u taksuar në xhepat e tregtarëve spekulantë. Sipas raportit më të fundit të Autoritetit të Konkurrencës, rreth 80 për qind e pikave të tregtimit me pakicë të naftës dhe gazit, që janë kontrolluar gjatë vitit 2008 në vend, kanë shfaqur probleme të ndryshme dhe janë konstatuar me shkelje. Sipas të dhënave, shkeljet parësore janë të paktën 4: 1) Në cilësinë e hidrokarbureve; 2) në sasinë e hedhur nga pistoletat; 3) në çmimin e tregtimit; 4) në mosafishimin e çmimeve të sakta. Ndërkohë, vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe Kalibrimit ka kryer 1815 kontrolle në pikat e tregtimit të karburanteve në të gjithë territorin e vendit gjatë vitit 2008. Sipas DPMK-së, "gjatë këtyre kontrolleve për verifikimin e instrumenteve matëse në pikat e tregtimit të karburanteve, janë penalizuar me gjobë 39 subjekte". Po kështu është zvogëluar diapazoni i gabimit në dhënien e sasisë së lëngut në distributorët e karburantit. Ditët e fundit DPMK-ja ka nisur një kontroll mbi instrumentet matës në pikat e distributorëve të gazit të lëngët (LPG), me qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve nga abuzimet.

Abuzimi i shumëfishtë

Konsumatorët janë më të dëmtuarit nga abuzimet e tregtarëve të hidrokarbureve me pakicë, pasi mbi ta bie trefish pesha e abuzimit. Sipas përllogaritjeve, mbi konsumatorin rëndojnë edhe kosto shtesë, të tilla si dëmtimi i shëndetit, i automjeteve, ndotja mjedisore etj., që përveç abuzimeve dhe vjedhjes direkte (në çmim, në cilësi dhe sasi), i shtohen kostos së dëmit në total. Sipas studimeve, janë rreth 8 tipe “Kosto shtesë”, që biznesi dhe qytetarët shqiptarë paguajnë dhe dëmtohen padrejtësisht nga keqfunksionimi i tregut të karburanteve. Ndër kostot indirekte numërohen ato shëndetësore, mjedisore dhe ekonomike.

Kontrollet teknike

Instrumentet matëse që po i nënshtrohen kontrollit metrologjik ligjor në fushën e tregtimit të karburanteve janë pistoletat e distributorëve të karburantit, autobotet dhe kontalitrat e shitjes me shumicë të karburantit dhe kontrolli i shpërndarësve të “LPG”-së për automjetet. Kontrolli metrologjik ligjor i instrumenteve matëse në fushën e karburanteve përfshin verifikimin periodik në çdo 6 muaj dhe ka si synim që të garantojë saktësinë e instrumentit nga inspektimi metrologjik, që ndjek edhe zbatimin nga subjekti të ligjshmërisë për metrologjinë. Drejtoria, gjatë vitit 2008, kreu 6200 shërbime verifikimi për 3100 pistoleta, nga ku u bllokuan për përdorim jokonform mbi 2100 pistoleta. Gjithashtu, u kontrolluan mbi 850 pika tregtimi me pakicë të karburantit, ndërsa inspektimet për zbatimin e ligjshmërisë për metrologjinë në mbi 1800 pika tregtimi karburanti.

4 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›