Topi merr mesazh falënderimi për Forcat e Armatosura nga ish-Presidenti Xhorxh W. Bush
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ka marrë një mesazh nga ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhorxh W. Bush, në të cilin shprehet mirënjohja dhe vlerësimi për kontributin e dhënë nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë në kuadër të misionit gati pesëvjeçar në Irak.
“I dashur Z. President, tashmë që forcat ushtarake shqiptare përfundojnë shërbimin e tyre të gjatë në Irak, kam dëshirë të shpreh mirënjohjen e thellë të Shteteve të Bashkuara për qeverinë dhe popullin e Shqipërisë për trupat që vendi juaj ka kontribuar për Forcën Ndërkombëtare në Irak nga prilli i 2003-shit deri në dhjetor të 2008-s. Kjo gatishmëri e Shqipërisë për të mbështetur ngritjen dhe forcimin e qeverisjes demokratike në Irak, me gjithë vështirësitë e mëdha, dëshmon për shpirtin e popullit shqiptar dhe përkushtimin e tij për t’i shërbyer çështjes së lirisë globale, që unë e kam përjetuar vetë qartësisht gjatë vizitës sime në Tiranë vitin e kaluar. Ne presim me gëzim të shërbejmë së bashku me kontingjentet e ardhshme shqiptare në mbrojtje të lirisë. Unë kam besim që këto lidhje do të forcohen, ndërkohë që Shqipëria zë vendin e saj si anëtare e NATO-s, ndërkohë që qeveritë tona rrisin bashkëpunimin e tyre në shërbim të sigurisë globale, lirisë dhe paqes”, – theksohet në mesazhin e ish-Presidentit Xhorxh Bush.
4 Shkurt 2009