E Diel, 1 Nëntor 2026

SIGMA kremton 10-vjetorin, tani pjesë e kompanisë më të fuqishme të sigurimeve në rajon



Dhjetë vjet janë shumë për jetën e një personi, por janë pak për një kompani, e cila hyn në treg me plane të vogla, por ëndrrat bëhen shumë shpejt realitet. Kështu ka ndodhur me kompaninë e sigurimeve “SIGMA”, e cila u ngrit në këmbë me fondet e 13 aksionerëve të vegjël dhe sot është pjesë e Viena Insurance Group, kompania më e madhe e sigurimeve në Austri, me një shtrirje në 23 vende të botës. Këtë rrugëtim e tregon drejtori i Përgjithshëm i SIGMA-s, Qemal Disha, i cili konsiderohet si “babai” i tregut të sigurimeve nga ortaku i tij dhe njëherësh kryetari i Bordit, Kristof Volf. Disha dje ka prezantuar firmën që është dhjetë vjet më e vjetër dhe 10 herë më e fortë. Ai ka treguar rrugëtimin e kompanisë së parë private të sigurimeve, e cila për një periudhë 2-3-vjeçare arriti gjigantin shtetëror INSIG. Brenda pesë vitesh ajo do të shtrihej në Kosovë dhe Maqedoni, ndërsa në vitin 2007 do të bëhej pjesë e Vienna Insurance Group, e cila është kompania lider në tregun austriak dhe atë të Europës Lindore dhe Qendrore të sigurimeve, me një xhiro vjetore prej 8.3 miliardë eurosh për vitin 2008. Tashmë SIGMA numëron 100 mijë klientë dhe ofron 20 produkte sigurimi. “Publiku na vlerëson dhe gjykon jo për atë çka i marrim, por për atë se çka i japim”, - thotë Disha. Sipas tij, "të ardhurat nga primet arritën në mbi 14.4 milionë euro, nga 12,5 milionë euro që ishin në vitin 2007, me një rritje 15.2 për qind. Kjo rritje e primeve vjen kryesisht nga rritja e të ardhurave nga sigurimet vullnetare, që në vitin 2008 kapin vlerën 4 milionë euro, nga 2 milionë euro që ishin në vitin 2007". SIGMA ka zgjeruar gamën e produkteve të ofruara dhe drejtuesit e saj u bëjnë thirrje qytetarëve të drejtohen te skemat e sigurimeve. Rastet e djegieve të dy kompanive të mëdha përgjatë autostradës “Tiranë-Durrës” gjatë vitit të kaluar, ku humbjet ishin në miliona euro, janë një sinjal që qytetarët duhet të përqafojnë skemat siguruese. “Një ndër produktet e reja, që do të jetë një nga sfidat e këtij viti, është paketa e sigurimit shëndetësor, e cila ofron shërbim të zgjeruar shëndetësor për klientët tanë, përfshirë trajtimin në klinikat më të mira mjekësore, kryesisht në Shqipëri e Turqi, por edhe në vende të tjera të botës”, - thotë Disha. Sipas themeluesit të kompanisë së parë private të sigurimeve, pas 10 viteve SIGMA do të jetë më të suksesshme, por edhe qytetarët do të jenë më të ndërgjegjshëm për sigurimin e jetës dhe të ardhmes së tyre.

4 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›