E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasasori Uidhers: Zgjedhjet e 28 qershorit, shans për Shqipërinë për të lënë pas të kaluarën

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë vlerëson rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Uidhers flet edhe për ligjin e dosjeve: “Shpresojmë në reflektimin e qeverisë”

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë deklaron se zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të 28 qershorit përbën një shans të mirë për Shqipërinë për t’u shkëputur nga e kaluara dhe për të konfirmuar progresin dhe forcimin e demokracisë së saj. Këtë deklaratë, ambasadori Uidhers e bëri gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”. Ai foli gjithashtu për ligjin e dosjeve, ku theksoi se shpresonte në një reflektim të qeverisë në lidhje me këtë ligj antikushtetues. Uidhers theksoi gjithashtu edhe rëndësinë e respektimit të lirisë së medias në Shqipëri.

Njëra prej çështjeve më të debatuara kohët e fundit është ligji i lustracionit. Ky ligj është kritikuar nga SHBA-të, por edhe nga OSBE-ja, Këshilli i Europës dhe së fundi edhe nga BE-ja. SHBA-të kanë thënë se ligji ngre shqetësime serioze ligjore dhe kushtetuese. Cilat janë këto shqetësime dhe cilat do të ishin pasojat e këtij ligji?
Pozicioni i qeverisë së SHBA-ve është shumë i njohur. Pozicioni është paraqitur edhe këtu, edhe në Uashington. Kemi ngritur problem në kushtetueshmërinë e ligjit si dhe mbi zbatimin e mundshëm të ligjit. Këto janë çështje që janë ngritur edhe nga një numër institucionesh dhe organesh anembanë Europës dhe mendoj që të gjithë ne shpresojmë që qeveria e Shqipërisë do të qaset ndaj këtij ligji, do të bëjë një qasje të re ndaj këtij ligji dhe do të shfrytëzojë mundësinë e ndihmës që të gjithë ne, që jemi miq të Shqipërisë, kemi ofruar.

Megjithëkëtë, zoti Ambasador, është vënë re një këmbëngulje e shumicës dhe e qeverisë për të mos ndryshuar qëndrim.....

Edhe një herë, si miq të Shqipërisë, gjithçka mund të bëjmë është të bëjmë rekomandimet tona dhe të japim këshillat tona më të mira. Shpresojmë që do të merren parasysh. Të gjithë kemi objektivin përfundimtar të përpjekjes për ta bërë situatën lidhur me këtë ligj sa më të mirë që mund të bëhet dhe shpresoj që pozicioni ynë është i qartë dhe që merret si një rekomandim konstruktiv.

Z. Ambasador, gjatë vitit të kaluar, në lidhje me disa zhvillime të brendshme, kryesisht lidhur me sistemin e drejtësisë – kujtoj këtu ligjin për prokurorinë, dekretet e presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë, çështja “Fazlliç” – ju dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë ishit në oponencë të qartë me qeverinë. A mendoni se kanë qenë raste të izoluara, apo një tendencë për të ushtruar ndonjë lloj presioni mbi sistemin e drejtësisë?

Do të shprehesha kështu: ka shumë vende në botë që, si pjesë e baticës së historisë, kanë qenë në gjendje të dalin nga diktaturat komuniste dhe lloje të tjera totalitarizmi. Sigurisht, ne amerikanët kemi qenë gjithmonë absolutisht në krye të luftës kundër diktaturës komuniste dhe mendoj që askush nuk mund të thotë të kundërtën. Por me të gjitha këto demokraci që linden, procesi i arritjes, sigurimit të synimeve kombëtare shprehur nga popujt e tyre nuk është një mbërritje. Nuk është se mbërrin në një destinacion. Gjëja e madhe e demokracive është që janë gjithmonë duke korrigjuar veten dhe duke përmirësuar veten. Kjo është e vërtetë për demokracitë më të vjetra të konsoliduara si në Europë dhe SHBA, por edhe për demokracitë e reja. Synimi ynë në vërtet çdo gjë që qeveria dhe ambasada jonë bën është të nxjerrim mësime nga përvoja jonë, si në vendin tonë ashtu edhe në ndërveprimet tona me demokracitë e reja, për t’i ndihmuar demokracitë e reja të shmangin shumë prej gabimeve apo shtigjeve të gabuara që kanë ndjekur vende të tjera. Në lidhje me situatën që kemi parë këtu si dhe në vende të tjera, ajo që duhet mbajtur mend është që parimi themelor i cilësdo demokraci, dhe këtu mund të përdor SHBA-të si një shembull parësor, është parimi i një qeverie të kufizuar. Qeverisë i jepet pushteti të bëjë gjëra të caktuara dhe i duhet dhënë fleksibiliteti dhe autoriteti të mbrojë vendin dhe të promovojë mirëqenien e përgjithshme të shtetasve të saj. Por ka edhe sfera, brenda cilësdo demokraci, në të cilat pushteti i qeverisë nuk duhet të ndërhyjë. Këtë debat e zhvillojmë gjithë kohën në SHBA. Institucioni kyç për të përcaktuar se deri ku duhet të arrijë autoriteti i qeverisë, fleksibiliteti i qeverisë, veprimet e qeverisë dhe ku jo, është sistemi gjyqësor i vendit. Prandaj, është me rëndësi jetësore që ky gjyqësor të ruajë pavarësinë e tij në mënyrë që të mund ta ruajë këtë drejtpeshim midis sferave të veprimit të qeverisë dhe të drejtave të qytetarit për liritë individuale, në atë nivel ku duhet të jetë. Në lidhje me interesin për zhvillimet e ndryshme këtu, kjo është vërtet sfera mbi të cilën funksionojmë. Nuk ka asnjë interes të SHBA-ve në personalitetet e veçanta që funksionojnë në këtë vend. Nuk ka kurrfarë interesi të SHBA-ve te partitë. Nuk ka asnjë interes në llojet e ndryshme të konkurrimit politik që zhvillohet. Ajo në të cilën populli amerikan dhe qeveria amerikane përqendrohen këtu dhe kudo tjetër janë institucionet. Ato janë themelet, ato janë mekanizmat që jetojnë gjatë. Së dyti, ne shohim proceset dhe procedurat. Edhe një herë, sepse këto janë mjetet nëpërmjet të cilave mund të përforcohet liria e shprehjes, zgjedhjet e lira e të ndershme. Prandaj, mendoj që kemi një mesazh shumë pozitiv dhe shpresoj një mesazh konstruktiv dhe ndihmues.

VOA: Korrupsioni është një tjetër temë diskutimesh të nxehta. Ka vlerësime të ndryshme për rezultatet e qeverisë në këtë luftë. SHBA-ja ka ofruar ndihmë në forma të ndryshme për këtë luftë. Jeni të kënaqur me atë që është bërë deri tani?

Ambasadori Uidhers: Kur bëhet fjalë për korrupsionin – një problem universal dhe në fakt kohët e fundit kemi pasur disa raste korrupsioni në nivele të larta në SHBA – askush nuk duhet të jetë i kënaqur përsa kohë që ai vazhdon. Është një çështje që përbën helm për çdo shoqëri dhe duhet luftuar pa pushim. Nuk mund të ndalosh. Nuk mund të jesh i kënaqur. Duhet vazhduar derisa të jetë fshirë tërësisht. Prandaj, qeveria dhe institucionet e drejtësisë janë kaq të rëndësishme. Institucionet duhet të kenë pushtet të mjaftueshëm për të gjetur të korruptuarit, t’i hetojnë ata dhe t’i sjellin para drejtësisë brenda kuadrit të sundimit të ligjit. Në vende të caktuara dhe në kohë të caktuara në të gjithë historinë, të korruptuarit duken sikur janë në avantazh, por jo nga pikëpamja afatgjatë sepse, në fund, institucionet e forta do të triumfojnë gjithmonë mbi korrupsionin. E përsëris, prandaj vendosim kaq shumë theks këtu mbi ndërtimin e institucioneve dhe po bëjmë çka mundemi për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit. Kemi një numër programesh që kanë një rol të madh ndihme për shqiptarët kundër korrupsionit. Jam shumë krenar për to. Janë programi ynë OPDAT, programi ynë ICITAP, si dhe programet nëpërmjet USAID; është zyra jonë e Marrëdhënieve Publike që merret me edukimin e njerëzve mbi rreziqet dhe problemet e korrupsionit. Besoj që kemi ndihmuar në shumë mënyra këtu, por nuk mund të jesh kurrë i kënaqur. Lufta duhet të vazhdojë gjithmonë.

Këtë vit, Shqipëria do të përballet me një sfidë të rendësishme, zgjedhjet e përgjithshme. Shpesh, edhe në zgjedhjet e kaluara, është thënë që janë një provë vendimtare për të ardhmen e vendit. Cila do të jetë pesha e vërtetë e përmbushjes apo jo të standardeve mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët e saj?

Mendoj që këto zgjedhje do të kenë një rol dhe rëndësi shumë më të madhe – nuk kam qenë këtu në zgjedhjet e mëparshme – ndoshta sesa zgjedhjet e mëparshme. Peizazhi i Europës dhe peizazhi i Shqipërisë kanë ndryshuar shumë shpejt 20 vitet e fundit. Shqipëria është më e angazhuar, bën tregti më shumë, ka marrëdhënie më shumë me një bashkësi botërore më të gjerë sesa në të kaluarën – jo për faj të saj sigurisht. Ndërkohë që bën këto, përfitimi i atij integrimi dhe ndërveprimi, me të gjitha këto shoqëri të ndryshme, është shumë pozitiv dhe shumë i dobishëm për Shqipërinë. Ndërkohë që zhvillohet – dhe zhvillimi është shumë i shpejtë – pritshmëritë që Shqipëria të arrijë standardet e atyre vendeve me të cilat radhitet bëhen gjithnjë e më të mëdha. Një prej elementëve kyç të një demokracie janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Të gjithë e dimë dhe dihet publikisht që zgjedhjet shqiptare kanë pasur problem në të kaluarën. Tani, në qershor, ekziston një shans i vërtetë për ta lënë gjithça pas, për të pasur zgjedhje ku organizimi, administrimi, pjesëmarrja e njerëzve dhe shumë gjërave të tjera të jenë siç duhet; është shumë e mundshme për Shqipërinë t’i arrijë. Po punojmë shumë fort për ta ndihmuar qeverinë dhe popullin e Shqipërisë që t’i bëjnë këto zgjedhje një hap gjigant përpara dhe për të vendosur atë bazë thelbësore të demokracisë këtu.

Edhe një pyetje të fundit. Shtetet e Bashkuara janë shumë të ndjeshme ndaj çështjeve të lidhura me lirinë e shtypit. Aktualisht ka një përplasje të hapur mes qeverisë dhe gazetës “Tema”. Sipas jush, a është tregues i një përkeqësimi midis qeverisë dhe medias?

Shpresoj që mos të përfaqësojë një përkeqësim midis qeverisë dhe shtypit. Edhe një herë, një prej elementëve kyç të demokracisë është shtypi i lirë. Gjithçka që mund të sugjerojë, madje edhe perceptimi i një ndërhyrjeje të qeverisë në lirinë e shtypit, do të ishte diçka që do të shkaktonte shqetësim të madh. Mendoj që rasti i “Tema”-s është diçka që po e shohim nga shumë afër si këtu, edhe në Uashington. Mesa kuptojmë, mosmarrëveshja mes qeverisë dhe gazetës i është nënshtruar një vendimi gjykate. Është shumë e rëndësishme, në kushtet e sundimit të ligjit, që vendimi të respektohet ndërkohë që të dyja palët përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre.

Marrë me shkurtime nga “Zëri i Amerikës”

4 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›