E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Liberalizimi pa konkurrencë është kolektivizim

 

PS ka mbyllur dje fazën e tretë të “Dialogut me Shqipërinë” për çështjet e arsimit

Partia Socialiste ka mbyllur dje me konferencën rajonale të Tiranës fazën e tretë të “Dialogut me Shqipërinë” lidhur me çështjen e arsimit. Kjo tryezë mbyll ciklin e 12 konferencave rajonale që janë zhvilluar në të gjitha qarqet e Shqipërisë duke shënuar njëkohësisht dhe mbylljen e dialogut për arsimin në nivelin e tretë të tij. Duke përshëndetur tryezën, kryesocialisti Edi Rama ka vlerësuar si tepër pozitive faktin se gjatë këtij turi, që ka zgjatur për rreth 9 muaj, kanë marrë pjesë më shumë se 2500 njerëz të sistemit, çka sipas tij i jep PS-së besimin se ka mundur të thithë një mendim të kualifikuar dhe të domosdoshëm për zgjidhjet që do të ofrojë në programin e vet politik dhe qeverisës, pikërisht për këtë çështje. “Kushti i parë, për ta konsideruar një tryezë cilësore, për të gjithë organizatorët e rrjetit të Partisë Socialiste, ka qenë që në këto tryeza të vijnë qytetarë të lidhur me sistemin arsimor, pavarësisht përkatësive partiake, pavarësisht nëse sot jemi së bashku në tryezë dhe nesër na ndan bindja, apo na ndan gjykimi që përcakton votën”, - u shpreh Rama. Ndërkohë, duke u ndalur pikërisht tek problematika e evidentuar gjatë këtyre 9 muajve edhe nga dialogu me mësues, pedagogë e nxënës, kreu i selisë rozë është shprehur se sistemi ynë arsimor është në një krizë të thellë, dhe kjo sipas tij, për shkak të mungesës së vëmendjes së shtetit për ta trajtuar këtë sektor si pikënisjen e ndryshimit për të ardhmen. “Sistemi ynë arsimor është në një krizë, pasojat e së cilës, janë sot të pa llogaritshme ende. Sistemi ynë arsimor është sot në një krizë që lidhet me rënien e aftësisë mësimdhënëse, për arsye që janë analizuar dhe do të analizohen edhe më thellë”, - u shpreh Rama. Përsa i përket sistemit të lartë arsimor, kryetari i PS-së ka vënë edhe një herë theksin se nuk mund të ketë liberalizim të universiteteve pa masa kontrolluese siç mund të jenë konkurset. Liberalizimi pa asnjë kriter i hyrjes në shkollat e larta- është shprehur Rama- ka sjellë dhe mungesën e perspektivës për çdo të ri që merr një diplomë. “Nuk ka liberalizim pa konkurrencë. Liberalizimi pa konkurrencë është kolektivizim, që nuk ka të bëjë fare me sistemin ku ne jetojmë. Liberalizimi pa konkurrencë është shpërdorim i ëndrrave, ambicieve, interesave, të të gjithë atyre që bëjnë pjesë në këtë sistem”, -përfundoj Rama fjalën e vet. Ndërkohë që turri “Dialog me Shqipërinë” pritet të vijojë përsëri në shtator në një fazë të re, ku PS do të shfaqë edhe zgjidhjet që ofron për secilën prej 9 temave të shqyrtuara gjatë këtyre muajve.

F.Braushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›