Taksa progresiste relike e marksisteve e sheshta ne interes te biznesit
Shqipëria gëzon potenciale të shumta për intevstime dhe ka bërë përpjekje të mëdha për të krijuar klimën më të mirë të biznesit. Kështu u shpreh kryeministri Sali Berisha në konferencën ekonomike të Bankës Islamike për Zhvillim, ku i mëshoi me forcë faktit se shifrat tregojnë qartë për një klime të favorshme për investime. Ndërkohë, kreu i qeverisë nuk mund t mos bënte vlerësimet maksimale për këtë bankë si një partner të rëndësishëm për transformimin e vendit.
“Në këto 20 vite, Banka Islamike për Zhvillim ka qënë për Shqipërinë një partner i shkëlqyer i cili ka financuar me dhjetra projekte në të gjitha fushat dhe sektorët e rëndësishëm. Nga furnizimi me ujë tek trajtimi i ujrave, nga vaditja tek rrugët dhe autostradat, nga shkollat tek qëndrat shëndetësore. Këto projekte janë shndërruar në një faktor të rëndësishëm të tranformimit që ka njohur Shqipëria” vuri në dukje Kryeministri Berisha.
Në këtë funksion shefi i qeverisë rikujtoi bashkëpunimin e rëndësishëm me këtë bankë për segmentin e korridorit të 8 dhe autostradën Tiranë-Elbasan.
Por duke iu referuar zhvillimeve ekonomike, Kryeministri Berisha vlerësoi se në themel të krizës qëndrojnë taksat progresive pasi sipas tij kjo taksë kufizon investimet si dhe mundësinë e rritjes së vendeve të punës.
“Një barrë tjetër rëndon mbi biznesin në botë, dhe kjo është barra fiskale. Qeveria shqiptare beson se taksat e ulta janë zgjidhja për tu mbrojtur nga kriza. Ka një dhe vetëm një rrugëdalje. Nga Marksismi nuk mund të ketë të mirë. Ndonëse ra si sistem, taksa marksiste imponon informalitetin, taksë e cila kufizon potencialet dhe mundësinë e rritjes së vendeve të punës, ndaj dhe ne vendosëm taksën e sheshtë me besimin se ky është në të mirë të qytetarëve shqiptarë dhe bizneseve. Ne nuk do rrisim taksat, por do i ulim më tej. Janë burokracitë që sëmurën bizneset, janë praktikat e rënduara”, vlerësoi Berisha.
Madje, në këtë kontekst, Kryeministri premtoi privimin nga taksa për 8 vjet, të investitorëve të huaj që do të investojnë në zonat malore të vendit.
Njëkohësisht, kreu i ekzekutivit apeloi për më tepër investime në vendin tonë. “Ne kemi hequr vizat për Kuvajtin, Emiratet e Bashkuar, Katarin dhe të për të gjithë ato vende mike të këtij rajoni. Unë ju ftoj ju të investoni në Shqipëri. Ju garantoj se do të gjeni kushte të favorshme dhe do të gjeni një qeveri që në përputhje me ligjet e vendit të bëjnë gjithçka për një klimë më të favorshme në mënyrë që ju të regjistroni një histori suksesi në Shqipëri” u shpreh Kryeministri Berisha.
Ndërkaq dhe autoritete e larta financiare dhe monetare shqiptare deklaruan para investitorëve të huaj, se Shqipëria është tashmë një vend me ekonomi të qëndrueshme falë politikave të ndjekura, duke dhënë kështu garanci për investimet e huaja. Gjatë fjalës së tij përfaqësuesi i Bankës Islamike, doktor Abudi, deklaroi se organizmi financiar që ai përfaqëson, do të vijojë të investojë në Shqipëri, si dhe do të mbështesë rritjen e saj ekonomike.
Ndërkaq dhe autoritete e larta financiare dhe monetare shqiptare deklaruan para investitorëve të huaj, se Shqipëria është tashmë një vend me ekonomi të qëndrueshme falë politikave të ndjekura, duke dhënë kështu garanci për investimet e huaja. Gjatë fjalës së tij përfaqësuesi i Bankës Islamike, doktor Abudi, deklaroi se organizmi financiar që ai përfaqëson, do të vijojë të investojë në Shqipëri, si dhe do të mbështesë rritjen e saj ekonomike.