Ministria e Financave premton rritje te pensioneve
Pavarësisht presioneve të krizës ekonomike që po mbizotërojnë në Europë e përkundër vendimeve të këtyre shteteve qeveria shqiptare ka parë të nevojshme të ndjekë politikën e rritjes së pensioneve gjë që sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode do të vazhdojë edhe këtë vit.
Në 20 vjetorin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Ministri i Financave ka vlerësuar tre faktorë të cilët sipas tij vitet e fundit e kanë bërë më të sigurt skemën e pensioneve duke dhënë efekte të drejtpërdrejta; rritjen graduale të moshës së daljes në pension, reduktimin e masës së kontributit dhe unifikimin e legjislacionit tonë me atë evropian.
Duke iu referuar informatizimit të sistemit të pensionve ministri i Financave, Ridvan Bode ka theksuar se teknologjia e informacionit tashmë edhe në këtë sektor do të shkurtojë kohën e shërbimit ndaj qytetarëve, uljen e informalitetit dhe rritjen e transparencës.