Taksat për familjarët, sa do të paguajnë kryeqytetasit për vitin 2010
Jonida Tashi
Bashkia e Tiranës përcakton afatet për pagimin e taksave vendore nga familjarët. Më konkretisht bëhet fjalë për tri taksa, që janë ajo e gjelbër, e ndërtesës dhe e pastrimit. Detyrimi i taksës së gjelbër për kategorinë “Familjarë”, sipas afateve të vendosura nga Bashkia e Tiranës, duhet të paguhet brenda datës 30 prill të vitit. Për çdo familje të krijuar rishtas, afati i pagesës së taksës së gjelbër do të jetë 30 ditë nga dita e regjistrimit të saj në Zyrën e Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake përkatëse dhe detyrimi tatimor do të llogaritet nga muaji korrent i regjistrimit të saj. Për kategorinë “Familje” agjenti tatimor është njësia bashkiake e cila përfiton 10% të shumës së arkëtuar.
Taksat
Taksa mbi ndërtesën është një tjetër detyrim që banorët e Tiranës duhet të shlyejnë ndaj bashkisë. Baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit në metër katror e ndërtesës ose e pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Sipërfaqja në pronësi të taksapaguesit përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë këtë pronësi. Për ato kategori ndërtesash banimi të cilat janë të regjistruara si seli të subjekteve tregtare, taksa e pasurisë përllogaritet dhe paguhet si kategoria II, “Ndërtesa të tjera” sipas rastit të ushtrimit të veprimtarisë, duke u përjashtuar nga kategoria e I, “Ndërtesa banimi”. Detyrimi për taksën mbi ndërtesën është vjetor. Për kategorinë I, “Ndërtesa banimi” detyrimi paguhet në 2 këste. Kësti i parë paguhet brenda datës 30 prill, kësti i dytë paguhet brenda datës 30 shtator. Afati i pagesës për detyrimet e lindura pas datës 30 qershor është 30 ditë pas lindjes së detyrimit. Përveç taksës së gjelbër dhe asaj të ndërtesës, tarifa e pastrimit është një tjetër detyrim ndaj bashkisë, së cilës i nënshtrohen të gjitha familjet që banojnë brenda territorit të Bashkisë së Tiranës. Për kategorinë “Familjarët” detyrimi paguhet në 2 këste. Kësti i parë paguhet brenda datës 30 prill, kurse kësti i dytë paguhet brenda datës 30 shtator. Për çdo familje të krijuar rishtas, afati i pagesës së tarifës së pastrimit do të jetë 30 ditë nga dita e regjistrimit të saj në Zyrën e Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake përkatëse dhe detyrimi tatimor do të llogaritet nga muaji korrent i regjistrimit të saj.
Shuma
Paketa fiskale e Bashkisë së Tiranës jep të detajuara të gjitha kontributet që duhet të paguajnë taksapaguesit brenda këtij viti. Përsa i përket tarifës së pastrimit të qytetit, sipas paketës fiskale të miratuar një vit më parë, kjo taksë do të pësojë një rritje nga viti i kaluar. Kështu taksa e pastrimit për vitin 2010 kap shifrën e 5 mijë lekëve. Po ashtu edhe masa e taksës së gjelbër ka ndryshuar krahasuar me vitin 2009. Për rrjedhojë, për vitin 2010, masa e taksës së gjelbër për familjarët do të jetë 500 lekë. Ndryshe nga dy taksat e mësipërme që kanë vlera fikse, taksa e ndërtesës do të jetë e ndarë në dy shuma të ndryshme. Më konkretisht për ndërtesat e banimit, të ndërtuara para vitit 1993 taksa e ndërtesës do të jetë 10.5 lekë/m2 në vit. Kurse për banesat e banimit që janë ndërtuar pas vitit 1993, taksa e ndërtesës do të jetë më e lartë, 21.0 lekë/m2 në vit. Mosshlyerja e detyrimeve për taksat sipas afateve të vendosura parashikon sanksione për të gjithë ata që bëjnë shkeljen e tyre. Nëse familjarët nuk paguajnë taksat e përcaktuara me ligj, atëherë njësitë bashkiake përkatëse kanë të drejtë të mos u ofrojnë shërbimet e qytetarëve, si në rastin e mosdhënies së certifikatave etj. Megjithëse masat penalizuese për familjarët që nuk shlyejnë detyrimet vendore, nuk kanë të bëjnë me shuma parash, siç ndodh me bizneset, sërish ndëshkimi që u bëhet qytetarëve me qëllim pagimin e taksave duke iu bllokuar shërbimin në gjendjet civile të njësive bashkiake përkatëse, deri në momentin e shlyerjes së detyrimeve nuk është për të mos u marr në konsideratë.
Taksa e gjelbër
Taksa e pastrimit
Taksa e ndërtesës
Tirana paraqitet në ekspozitën e Tempullit të Artit Botëror në Paris
Pamja shumëngjyrëshe e kryeqytetit është paraqitur së fundi në një hapësirë prestigjioze të artit bashkëkohor. Këtë herë, Tirana ka qenë e pranishme në Tempullin e Artit Botëror në Paris, në qendrën Pompidu, ku ngjyrat e kryeqytetit janë përfshirë në ekspozitën e titulluar “Premtimet e së shkuarës”. Artistët e angazhuar në dekorimin e godinave të kryeqytetit të Shqipërisë janë shqiptarë e ndërkombëtarë të njohur në arenën e artit bashkëkohor dhe transformimi i Tiranës përmes ngjyrave ka tërhequr vëmendjen e kuratores Kristin Masel. Kjo e fundit, e ka vlerësuar me fjalë të zgjedhura idenë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite, ku është ekspozuar edhe filmi i Anri Salës “Dammi i Colori” që përshkruan pikërisht peizazhin e kryeqytetit nën efektin transformues të ngjyrave. Duke folur për këtë eveniment shumë special për Tiranën, Edi Rama tha: “Është kënaqësi dhe privilegj i jashtëzakonshëm që Tirana e ngjyrave, e transformimit spektakolar është sot e ekspozuar në një nga hapësirat më prestigjioze publike të artit dhe të kulturës botërore në qendrën Pompidu. Është njëkohësisht një privilegj i madh që projekti ynë i transformimit, zanafilla e tij, gjithçka ne bëmë duke e kthyer Tiranën dhe Shqipërinë në një lajm të mirë për botën që dilte nga një Shqipëri që i kishte mësuar njerëzit me lajme të këqija, sot të jetë në sytë e një publiku që është stërvitur duke parë përditë mrekullira të krijuara nga fantazia dhe dora e njeriut. Sot ky publik sheh Tiranën e transformuar përmes syve dhe duarve të atyre artistëve të njohur ndërkombëtarë, që na kanë vizituar dhe që të impresionuar nga projekti ynë kanë dashur të marrin pjesë. Këto janë momente të rëndësishme, janë momente historike për qytetin tonë, janë momente inkurajuese dhe natyruese për të shkuar më tutje dhe për ta parë të ardhmen me edhe më shumë siguri edhe shpresë”.
16 Prill 2010