E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, Të siguruarit, 50 shërbimet që do të përfitojnë falas në spitale



Jonida Tashi

Detajohen 50 shërbimet spitalore që personat e përfshirë në skemën e sigurimeve shëndetësore do t’i përfitojnë falas në institucionet shëndetësore publike të vendit. Ditën e djeshme është botuar në Fletoren Zyrtare vendimi i qeverisë nr.140, datë 17.2.2010, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor”. Në këtë vendim është përcaktuar lista e shërbimeve spitalore që do të financohen nga Instituti i Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) për vitin 2010, e cila nis me shërbimin e Kardiologjisë dhe përfundon me kontrollin e infeksioneve spitalore. Ndërkaq, në të njëjtin vendim janë përcaktuar edhe tetë institucionet spitalore publike që nuk do të financohen nga ISKSH-ja. Kështu, sipas vendimit të qeverisë, institucionet shëndetësore që nuk do të financohen nga ISKSH-ja janë: Spitali psikiatrik Vlorë, Spitali psikiatrik Elbasan, shërbimet e shëndetit mendor në rrethe, Shërbimi i psikiatrisë Shkodër, Qendra Kombëtare e Riaftësimit, Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve, Shërbimi kombëtar i transfuzionit, Ofiçina elektro-mjekësore, Njësia e transportit me helikopterë. Një pjesë të rëndësishme në vendimin për financimin e shërbimeve spitalore, zë edhe numri i përgjithshëm i punonjësve të spitaleve, për vitin 2010, si dhe buxheti i akorduar për secilin prej tyre.
Financimi
Financimi nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të shërbimeve të ofruara në spitalet publike do të bëhet sipas listës së miratuar nga qeveria. Sipas vendimit të qeverisë për këtë çështje, spitali është person juridik, publik me buxhet të pavarur, me cilësinë e autoritetit
kontraktor, përgjegjës për realizimin e prokurimeve publike të vetë spitalit. Spitali e ushtron veprimtarinë në përputhje me standardet e përcaktuara nga Ministria e
Shëndetësisë, e cila ka të drejtë t’i rivlerësojë ato çdo vit. Spitali organizohet, administrohet dhe vepron sipas ligjit nr.9106, datë 17.7.2003 “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në bazë të ligjeve në fuqi e të rregullores së funksionimit. Përpos listës së shërbimeve të financuara nga ISKSH-ja, qeveria ka përcaktuar edhe buxhetin për shërbimet spitalore. Një fond jo më i madh se 10 për qind i buxhetit vjetor, të planifikuar për shërbimet spitalore, mbahet nga ISKSH-ja, për t’ua shpërndarë spitaleve gjatë vitit, me vendim të këshillit administrativ të ISKSH-së.
Kontrata
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të lidhë kontratat me spitalet, për financimin e shërbimeve shëndetësore, të ofruara prej tyre. Kështu, në kontratën dypalëshe, ndër të tjera, përcaktohen: shërbimet e parashikuara për çdo spital; mënyrat e mbajtjes së të dhënave dhe të raportimit; mënyrat e pagesës së spitalit; treguesit e cilësisë dhe të performancës; mënyrat e ushtrimit të kontrollit nga ISKSH-ja; sistemi i referimit dhe mënyra e identifikimit të të siguruarve; mënyrat e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Shpenzimet kapitale për investimet në spitale mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë, por spitalet mund të kryejnë investime edhe nga burime të tjera. Tek këto të fundit përfshihen fondet që spitalet krijojnë nga të ardhurat e realizuara
gjatë veprimtarisë së tyre dhe nga dhurimet. Përdorimi i tyre bëhet totalisht nga vetë spitali, si pjesë
e kostos së shërbimit, sipas udhëzimit të miratuar nga këshilli administrativ i ISKSH-së. Këto të ardhura vlerësohen si të ardhura jashtë limitit. Mënyra e pagesës dhe e shpërblimit të punës së punonjësve të spitaleve, që kanë lidhur kontratë me ISKSH-në miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Kurse për shërbimet spitalore me pagesë spitalet duhet të zbatojnë tarifat e miratuara nga Këshilli i Ministrave. Po ashtu, spitalet janë të detyruara të zbatojnë edhe sistemin e referimit, të miratuar nga ministri i Shëndetësisë.

Lista e shërbimeve spitalore që do të financohen nga ISKSH-ja
1.Shërbimi i kardiologjisë:
- hemodinamika
- reanimacioni i kardiologjisë
2.Shërbimi i kardiokirurgjisë
3.Shërbimi i kirurgjisë angiovaskulare
4.Shërbimi i hematologjisë
5.Shërbimi i gastrohepatologjisë
6.Shërbimi i endokrinologjisë
7.Shërbimi i nefrologjisë dhe hemodializës
8.Shërbimi i anestezisë-reanimacionit
9.Shërbimi i urgjencës së sëmundjeve të brendshme
10.Shërbimi i mjekësisë interne
11.Shërbimi i alergologjisë
12.Shërbimi i reumatologjisë
13.Shërbimi i dermatologjisë
14.Shërbimi i ortopedisë
15.Shërbimi i okulistikës
16.Shërbimi i ORL-së
17.Shërbimi i kirurgjisë maksilo-faciale
18.Shërbimi i kirurgjisë së përgjithshme
19.Shërbimi i urgjencës kirurgjikale
20.Shërbimi i kirurgjisë digjestive
21.Shërbimi i urologjisë
22.Shërbimi i djegie-plastikës
23.Shërbimi i neurologjisë dhe neurofiziologjisë
24.Shërbimi i neurokirurgjisë
25.Shërbimi i onkologjisë dhe kirurgjia onkologjike:
- Statistika onkologjike (regjistri i kancerit)
- Laboratori histopatologjik onkologjik
- Laboratori klinik-biokimik onkologjik
26.Shërbimi i rrezatim kobaltit
27.Shërbimi infektiv
28.Shërbimi i pediatrisë së përgjithshme:
- urgjenca pediatrie
- fizioterapia pediatrie
29.Shërbimi i pediatrisë së specialiteteve
30.Shërbimi i pediatrisë infektive
31.Shërbimi i kirurgjisë infantile
32.Shërbimi i onkohematologjisë pediatrike
33.Shërbimi i reanimacionit pediatrik
34.Shërbimi i laboratorëve (klinik-biokimikë, mikrobiologjikë, imunologjikë, anatomopatologjikë, gjenetikë mjekësore, laboratori i mjekësisë nukleare)
35.Shërbimi i imazherisë
36.Shërbimi i fizioterapisë
37.Shërbimi i statistikave
38.Shërbimi i pneumologjisë
39.Shërbimi i kirurgjisë torakale
40.Shërbimi i ftiziatrisë
41.Shërbimi i gjinekologjisë
42.Shërbimi i obstetrikës
43.Shërbimi i patologjisë së barrës
44.Shërbimi i neonatogjisë
45.Shërbimi i farmacisë
46.Shërbimi i konsultave ambulatore
47.Shërbimi i toksikologjisë
48.Shërbimi i koordinimit të urgjencave
49.Shërbimi i psikiatrisë (QSUT)
50.Kontrolli infeksioneve spitalore

Mbështetur në Ligjin e Spitaleve:
1.Spitali ditor:
Shërbim i ndihmës së parë, mjekësore për trajtim dhe kurim 24 orë
2.Spitali në nivel bashkie (rrethi):
Shërbim urgjence-shërbimi i mjekësisë së përgjithshme
Shërbimi i kirurgjisë së përgjithshme
Shërbimi i pediatrisë
Shërbimi i obsetrik-gjinekologjisë
Shërbimi i anestezi-reanimacionit
Shërbimi i radiologjisë
Shërbimi i laboratorëve klinikë-biokimikë
Shërbimi i farmacisë
3.Spitali në nivel qarku (rajonal):
Shërbim urgjence
Shërbimi i mjekësisë së përgjithshme
Shërbimi i sirurgjisë së përgjithshme, ortopedi traumatologji, urologji
Shërbimi i pediatrisë
Shërbimi i obsetrik-gjinekologjisë
Shërbimi i anestezi-reanimacionit
Shërbimi i radiologjisë
Shërbimi i fizioterapisë
Shërbimi i laboratorëve klinikë-biokimikë dhe mikrobiologjikë
Shërbimi i anatomisë dhe histologjisë patologjike
Shërbimi i hemodializës
Shërbimi i farmacisë
4.Klinika e ORL-së:
Klinika e okulistikës
Klinika e sëmundjeve infektive
Klinika dermatologjike
Kabineti i onkologjisë
Kabineti i raftësimit
Kabineti i dietologjisë

Lista e institucioneve që nuk do të financohen nga ISKSH-ja
Spitali psikiatrik Vlorë
Spitali psikiatrik Elbasan
Shërbimet e shëndetit mendor në rrethe
Shërbimi i psikiatrisë Shkodër
Qendra Kombëtare e Riaftësimit, Mirërritjes dhe Zhvillimit të Fëmijëve
Shërbimi kombëtar i transfuzionit
Ofiçina elektro-mjekësore
Njësia e transportit me helikopterë

Spitalet, numri i punonjësve dhe buxheti për vitin 2010
Nr.punonjësve Totali i shpenzimeve
Berat 415 382,550
Bulqizë 108 88,200
Delvinë 32 26,000
Devoll 54 49,150
Dibër 389 343,300
Elbasan 661 508,450
Fier 530 474,680
Gramsh 169 137,750
Gjirokastër 242 227,160
Has 43 39,400
Kavajë 170 123,250
Kolonjë 142 102,450
Korçë 609 538,300
Krujë 192 144,940
Kuçovë 78 60,140
Kukës 325 260,950
Laç 101 87,950
Lezhë 278 243,400
Librazhd 219 168,300
Lushnjë 315 276,450
Malësi e Madhe 17 17,300
Mallakastër 40 34,700
Mat 216 172,850
Mirditë 221 154,300
Peqin 30 28,880
Përmet 134 99,400
Pogradec 263 217,700
Pukë 167 141,430
Sarandë 202 164,580
Skrapar 146 90,980
Shkodër 807 617,800
Tepelenë 175 126,040
QSUT 2685 4,156,100
Mat nr.1 378 377,150
Mat nr.2 281 297,720
Sanatoriumi 299 358,600
Tropojë 168 121,800
Vlorë 587 472,400
Rezervë e pashpërndarë 767,500
Totali 12,700,000

Masterplani
Banka Botërore: Spitalet rajonale “djegin” fondet

Spitalet rajonale në vend duhet të shfrytëzojnë në maksimum shtretërit që disponojnë, pasi fondet e alokuara për to janë të konsiderueshme krahasuar me shërbimin që ata ofrojnë. Kështu janë shprehur dje përfaqësuesit e Bankës Botërore në vendin tonë gjatë një takimi që kanë pasur me ata të Ministrisë së Shëndetësisë. Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Shqipëri për Shëndetësinë, Patrik McNelly, shprehet se spitalet rajonale në vendin tonë nuk punojnë aq sa duhet krahasuar me fondet që kanë. “Spitalet rajonale nuk punojnë në kapacitetet e tyre të plota. Duke krahasuar fondet që kanë, për shembull me punën që bëhet në Qendrën Universitare ‘Nënë Tereza’ vihen re mangësi”,- tha McNelly. Situatën krijuar nga spitalet rajonale e kanë pranuar hapur edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët thonë se nga pikëpamja ekonomike spitalet rajonale kanë një buxhet të konsiderueshëm që duhet të përdoret në mënyrë racionale. “Rreth 30 spitale në Shqipëri kanë më pak se 200 shtretër spitalor dhe shfrytëzimi i tyre, për arsye dhe të lëvizjes së popullatës, për arsye dhe të nivelit të dhënies së shërbimit shëndetësor është rreth 20-25%. Pra, është shumë e ulët. Në aspektin ekonomik do të kemi vështirësi në qoftë se këto spitale do të vazhdojnë me këtë lloj ritmi të përdorimit të faciliteteve të tyre”,- deklaroi drejtori ekonomik në Ministrinë e Shëndetësisë, Saimir Kadiu. Së fundi, për të fuqizuar spitalet rajonale me qëllim ndarjen e fondeve aty ku duhet, Ministria e Shëndetësisë me asistencën e Bankës Botërore kanë hartuar një masterplan. Qëllimi i këtij masterplani është të përmirësojë cilësinë e spitaleve rajonale dhe të shfrytëzojë kapacitetet në maksimum. Sipas përfaqësuesit të Bankës botërore, implementimi i këtij masterpalni do të filloje pas dy muajsh. Aktualisht, në vendin tonë janë rreth 50 spitale, 600 qendra shëndetësore, duke përfshirë dhe zonat rurale, si dhe 1500 ambulanca që ofrojnë shërbime mjekësore.

16 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›