Taksat, vendorët-Berishës:S'jemi ndërmarrje komunale
Krerët socialistë të 6 bashkive qendër qarku, janë mbledhur dje në selinë rozë për të diskutuar lidhur me situatën financiare, që pritet të sjellë në buxhetet e njësive vendore, ligji i ri i miratuar nga Kuvendi.
TIRANË - Vendimi i fundit i Kuvendit të Shqipërisë, për reduktimin e disa taksave lokale, ka sjellë reagimin e ashpër të pushtetit vendor.
Krerët socialistë të 6 bashkive qendër qarku, janë mbledhur dje në selinë rozë, ku dhe kanë diskutuar lidhur me situatën financiare, që pritet të sjellë në buxhetet e njësive vendore, që ata drejtojnë, ligji i ri i miratuar nga Kuvendi. Kufizimi i masës të një sërë taksave lokale, pritet të sjellë një efekt të ndjeshëm financiar në të ardhurat e tyre.
Pas takimit që u zhvillua me dyer të mbyllura, ata kanë bërë prezent për mediat shqetësimin e tyre, se një vendim i tillë cenon rëndë autonominë lokale dhe se prek në mënyrë të drejtpërdrejtë të ardhurat në arkat e bashkive të tyre, duke sjellë si pasojë dhe kufizimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
"Jemi të shqetësuar nga disa vendime të fundit ose nga disa iniciativa të Qeverisë dhe Kuvendit, e theksoj me legjitimitet thellësisht të cunguar, të marra në disfavor të autonomisë së bashkive", - tha kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika në emër edhe të pesë kolegëve të tjerë.
Sipas kryebashkiakëve socialistë, ky hap i mazhorancës ka karakter jo vetëm ekonomik, duke synuar mbushjen e arkës së shtetit dhe zbrazjen e arkave të njësive të pushtetit vendor, por se në thelb të tij qëndron edhe goditja preferenciale që i bëhet pushtetit vendor, i cili në shumicë drejtohet nga përfaqësues të majtë.
"Ky qëndrim vjen si rrjedhojë e mospërqasjes politike që ne përfaqësojmë në këto bashki, në raport me qeverisjen qendrore dhe kjo mospërqasje nuk duhet të kalojë në kurriz të këtyre investimeve, që janë për qytetarët tanë, të cilët na kanë votuar dhe ne i kemi përfaqësuar denjësisht deri tani", - tha më tej Gjika.
Të gjendur tashmë përpara një fakti të kryer, ku nisma e Qeverisë ka marrë pëlqimin e Kuvendit në seancë plenare, krerët vendorë kanë bërë një përpjekje të fundit duke i kërkuar Qeverisë që të heqë dorë nga nisma të tilla, pasi në të kundërt do të përballet me reagim të fortë të pushtetit vendor. Për këtë qëllim, ata kanë paralajmëruar edhe përshkallëzim të reagimit të tyre, por pa bërë të ditur se çfarë nënkuptonin me një deklaratë të tillë.
"Këto iniciativa të qeverisë shqiptare bien ndesh me politikën e autonomisë vendore dhe ne sot jemi mbledhur në një takim, ku në përfundim i bëjmë thirrje Qeverisë që të mos kujtojë se ne do të kthehemi në një ndërmarrje komunale, por do të vazhdojmë të përshkallëzojmë qëndrimet tona për të garantuar ato që na njeh Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe për të garantuar të gjithë zgjedhësit tanë për shërbime cilësore dhe investime të qëndrueshme", - tha Gjika, duke bërë të ditur se do të shtrinin qëndrimin e tyre edhe në bashkitë dhe komunat e tjera, pavarësisht përfaqësimit të tyre politik.
Gjithashtu në kërkim të të drejtave të tyre të pretenduara, kryetarët e bashkive socialiste kanë bërë me dije se shqetësimin e tyre do t'ia bënin prezent edhe përfaqësuesve ndërkombëtar.
Të hënën parlamenti miratoi një sërë ndryshimesh të propozuara nga Qeveria në lidhje me sistemin fiskal të vendit, taksat lokale, taksat kombëtare etj.
Një ndër ndryshimet që pritet të ketë ndikim të madh në uljen e të ardhurave të pushtetit vendor është ulja në nivelin e 0.5 për qind të vlerës së investimit të taksës së ndikimit në infrastrukturë, apo heqja e së drejtës së këshillave të bashkive apo të komunave për të përcaktuar nivelin e taksës së tabelës, duke ia veshur këtë atribut vetëm ligjit.
Ndryshim tjetër që ndikon në zvogëlimin e buxhetit të bashkive dhe të komunave, është ai për taksën e tabelës për qëllime identifikimi.
Në bazë të ligjit, zbatimi i kësaj takse në Bashkinë e Tiranës është në nivelet 150 lekëve në vit për tabelat në gjuhën shqipe dhe 3 000 lekë për tabelat në gjuhë të huaj. Por, me ndryshimet më të fundit, ajo unifikohet në një euro, pavarësisht gjuhës së shkruar.
Për t'u theksuar është rritja e madhe që kanë pësuar taksat e tabelave për qëllime reklamimi. Nëse më parë, për Bashkinë e Tiranës kjo taksë ndryshonte nga 10 mijë lekë për metër katror në vit për tabelat e zakonshme dhe 15 mijë lekë për ato elektronik, e me ndryshimet në fjalë ato unifikohen në nivelin e 45 mijë lekëve në vit për metër katror.