Taksat, vetëm rritje nga 2008-a
Që nga dhjetori i vitit 2008, qeveria ka ndërhyrë në ligjet e taksave plot 21 herë, duke ndryshuar si procedurat, ashtu edhe nivelet e taksave për qytetarët. Në fund të vitit 2008, qeveria uli kontributet e sigurimeve për biznesin me 5 pikë përqindje, duke e argumentuar si vazhdimin e filozofisë së saj të taksave të ulëta. Me uljen e kontributeve, qeveria e lehtësoi biznesin me 4 miliardë lekë në vit. Por pas kësaj mase, taksat vetëm janë rritur. Nga dhjetori i 2008-s, qeveria ka rritur tri herë akcizat, biznesi më i preferuar i saj që nga viti 2005. Sipas të dhënave nga relacionet zyrtare, akcizat e kanë rritur barrën për qytetarët vetëm në dy vitet e fundit me mbi 10.5 miliardë lekë në vit, dy herë më shumë se sa lehtësimi që ju bë biznesit me uljen e sigurimeve. Veç akcizave, janë një sërë ndryshimesh të tjera të taksave gjithmonë me tendencë rritjeje, për të cilat nuk ka efekte paraprake të përllogaritura. Tre më kryesoret janë ulja e pragut të TVSH-së për biznesin nga 8 në 5 milionë lekë xhiro, rritja e taksave të automjeteve të përdorura dhe rritjet e shpeshta të taksave për lojërat e fatit. Të gjitha taksat e ndryshuara, veç kësaj të fundit, që është një industri specifike, janë taksa që maskohen në çmim dhe gjithmonë paguhen nga konsumatorët. Vetë të dhënat e buxhetit konfirmojnë se politika fiskale, më shumë se sa ulje taksash në finale ka qenë transferim i barrës fiskale nga bizneset e mëdha te qytetarët. Nëse në vitin 2005 individët paguanin taksa konsumi dhe taksa mbi pagën 128 miliardë lekë në vit, në fund të 2009-s kjo shifër është gati 80 për qind më e lartë. Në të njëjtën periudhë pesha e taksave direkte, që paguan biznesi nga fitimet e tij, ka rënë nga 24 për qind, në 16 për qind të totalit të të ardhurave që mblidhen në buxhet.
#