Eduard Belegu shpallet në kërkim ndërkombëtar
Eduard Belegu, ish-këshilltari i ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, është shpallur i zhdukur në listën e Interpolit. Sipas faqes zyrtare në internet të Policisë Ndërkombëtare, Belegu rezulton i zhdukur që në datën 24 mars të këtij viti, kur ka kontaktuar për herë të fundit me të afërmit. Kur kanë kaluar rreth tre muaj nga zhdukja, Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri e ka parë të arsyeshme ta shpallë Belegun në listën e të zhdukurve ndërkombëtarë. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë akuzës qendrore, sipas së cilës kërkohen të dhëna të dobishme jete të Belegut edhe jashtë Shqipërisë në kuadër të hetimeve të Krimeve të Rënda. Akuza thotë se hetimet për zhdukjen e 47-vjeçarit, ish-drejtues i kompanisë “Darfo” në Elbasan, për të cilën u mor edhe person i pandehur, po përqendrohen tek ndonjë rrëmbim i mundshëm, ndërsa nuk përjashtohen as pistat e tjera që nga largimi nga banesa e deri te konfliktet e mundshme të Belegut me ndonjë të njohur.
“Shpallja si i zhdukur ndërkombëtar i shtetasit Eduard Belegu është realizuar pasi nga hetimet e policisë dhe prokurorisë nuk është gjetur asnjë gjurmë jete. Synohet që me shpalljen e tij në listën e Interpolit, edhe policitë ndërkombëtare të kërkojnë për personin në fjalë”, thanë burimet nga akuza qendrore, sipas të cilave drejtësitë e vendeve të rajonit, por edhe Italia dhe SHBA-ja, mund të sjellin informacione pa qenë nevoja e letërporosive. Megjithatë, saktësuan burimet nga akuza qendrore, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Shtetit po verifikojnë çdo provë për këtë dosje, personat që e kanë takuar për herë të fundit, gjurmët e gjetura në automjetin e tij e deri tek informacionet nga vëzhgimet dhe përgjimet e të dyshuarve.
Në lidhje me diskutimet për statusin e kësaj dosjeje, burimet nga akuza qendrore thanë: “Kemi dyshime se ish-drejtori i ‘Darfo’-s është rrëmbyer. Zhdukja po hetohet nga një grup hetimor i Krimeve të Rënda, të cilët kanë marrë kontakt me familjarët e tij. Nga materialet e deritanishme ka rezultuar se automjeti i tij është gjetur në periferi të Tiranës. Gjithashtu, Belegu ka kontaktuar me disa të afërm, duke i bërë me dije largimin e tij. Megjithatë, faktet në dosje krijojnë bindjen e një rrëmbimi”. Hetuesit e çështjes po verifikojnë konfliktet e mundshme të Belegut. Pistat e mundshme të rrëmbimit janë konfliktet gjatë punëve të kryera nga Belegu, ndërsa deri tani nuk është përjashtuar asnjë e dhënë. “Materialet e ardhura nga policia do të riverifikohen. çdo e dhënë do të merret në konsideratë nga hetuesit më të mirë të Krimeve të Rënda dhe në bazë të tyre do të ngrihen edhe pistat hetimore”, thanë burimet nga akuza qendrore. Belegu ka drejtuar disa vite më parë kompaninë koncesionare “Darfo” në Elbasan. Gjatë ushtrimit të kësaj detyre ai është arrestuar për “vjedhje me anë të shfrytëzimit të detyrës”, në nëntor të vitit të kaluar. Belegu është liruar nga Gjykata e Lartë dhe gjatë kësaj kohe paraqitej në polici një herë në javë. Ai u arrestua më 16 nëntor të vitit 2009 në Elbasan së bashku me disa persona.
#