Taksia përplas çiklistin në qendër të Tiranës
TIRANE – Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur pasditen e djeshme në kryeqytet në afërsi të Bankës së Shqipërisë. Sipas Policisë së Tiranës, një çiklist është përplasur nga një taksi që ecte me shpejtësi në fillimin e rrugës “4 shkurt”, pas Bankës së Shqipërisë në qendër të kryeqytetit. Për pasojë, çiklisti është dëmtuar rëndë dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak për të marrë mjekime, ndërsa taksisti është shoqëruar në polici për të dhënë deklarime rreth ngjarjes. Dëshmitarët okularë i kanë shpjeguar policëve se taksia dhe biçikleta ecnin drejt kryqëzimit midis Bankës dhe Postës dhe kanë hyrë të dy njëkohësisht në pikën ku rrugët bashkohen. Për pasojë janë përplasur dhe personi që lëvizte me biçikletë ka përfunduar në asfalt me dëmtime të rënda trupore si pasojë e përplasjes. Taksisti ka frenuar dhe pas kësaj i dëmtuari është dërguar në spital për ndihmën mjekësore. Burime nga spitali pohuan se i dëmtuari ka marrë mjekime intensive, si pasojë e dëmtimeve të shumta që ka marrë në kokë dhe trup, ndërsa ende nuk mund të jepej garanci se i plagosuri i kishte shpëtuar rrezikut për jetën. Policia pohoi dje se ekspertët e kriminalistikës kishin këqyrur vendngjarjen dhe se tashmë kishin nisur hetimet për të përcaktuar shkaktarin e aksidentit. Sipas policisë taksia ka lëvizur para kohe nga sinjalizimi i dhënë prej semaforit ndërsa çiklisti ka qenë i papërgatitur për të shmangur përballjen me automjetin për shkak të trafikut të rënduar. Policia ka nisur hetimet në gjendje të lirë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor ndaj dy drejtuesve të mjeteve që u përfshinë në aksident ndërsa po zhvillohet edhe ekspertiza e vendit të ngjarjes për një konkluzion më të qartë lidhur me aksidentin. fa.ma.