Taksistët e Fierit në protestë, kundër taksimetrit
Taksistët e Fierit kanë protestuar dje para bashkisë së këtij qyteti, duke kundërshtuar vendosjen e taksimetrave në automjetet e tyre. Rreth 100 drejtues të automjeteve "taksi", kanë kundërshtuar vendimin e këshillit bashkiak për vendosjen e taksimetrave, duke e quajtur këtë vendim si një mënyrë vjedhjeje.
Duke pasur parasysh që kjo periudhë shënon rinovimin e dokumentacionit për ushtrimin e aktivitetit, drejtuesve të këtij shërbimi u kërkohet vendosja e taksimetrave për të lejuar dhënien e licencave 5- vjeçare, por që taksistët e kanë kundërshtuar duke pretenduar se ky urdhër apo vendim është i papranueshëm. Sipas taksistëve, vendosja e taksimetrave është e panevojshme kur paguhen taksa dhe tatime fikse ndaj bashkisë, dhe është e përhapur në masë konkurrenca e pandershme. "Unë kundërshtoj vendosjen e taksimetrave, se këtu nuk ka shtet. Ne, detyrimet ia paguajmë të gjitha bashkisë. Konkurrenca këtu të mbyt për çdo gjë. Tatimi paguhet fiks paradhënie, siç na i kanë marrë çdo vit me radhë. Të hedhim edhe mbi 300 mijë lekë siç na kërkojnë me një çmim që nuk i përgjigjet tregut, në këtë periudhë, është jashtë çdo norme", - shprehet drejtuesi i taksisë, Hamit Beqa. Por me mendimin e tij kanë qenë dje edhe dhjetëra taksistë të tjerë, të cilët nuk e pranojnë vendosjen e taksimetrit. Taksistët shtojnë se për shumë prej tyre nuk kanë mundësi pagesë, sepse fitimi është shumë i vogël. "Unë nuk kam të paguaj. Do të hap krahun dhe do të dorëzoj licencën. Do të punoj në punë të zezë, sa të mund të gjej", thotë një tjetër taksist. Ndërkaq, drejtuesi i shfrytëzimit të automjeteve në Fier, Luan Baçi dhe nënkryetarja e Bashkisë Fier, Eriselda Çobo janë shprehur të bindur dhe të vendosur që të gjithë taksistët duhet të pajisen me taksimetër, pasi nuk mund të marrin aktin e vlerësimit teknik dhe në këto kushte nuk mund të licencohen nga Bashkia e Fierit për të ushtruar këtë aktivitet. "Ky vendim për këto institucione i përmbahet ligjit dhe rrjedhimisht zbatimit të tij. Unë nuk mund të shkel ligjin dhe të jap një urdhër me kokën time. Unë lejoj vendosjen e taksimetrave sepse ky është një vendim ligjor", ka deklaruar Baçi. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe Çobo, sipas së cilës, vendosja e taksimetrit është një detyrim për të marrë licencën dhe një procedurë e tillë ka si afat të fundit datën 31 mars. "Të gjithë mjetet taksi duhet të pajisen me vendosjen e taksimetrave. Ne si institucion i bashkisë për dhënien e licencave duhet veç dëshmisë së taksistit, të kenë edhe aktin e vlerësimit të mjetit dhe ky akt vlerësimi duhet të jetë vetëm me vendosjen e taksimetrit ka pohuar nënkryetarja e bashkisë, Eriselda Çobo.
Email This Klikime: 12
Email This Klikime: 12