Taksistët në protestë, kundër konkurrencës së jashtëligjshme
Edhe pse nuk ka qenë protesta e parë që kanë zhvilluar taksistët e liçensuar, tubimi në grup ditën e djeshme ka qenë më befasuesi nga të gjithë. Të gjithë të hipur në taksitë e tyre janë drejtuar nga bulevardi drejt Ministrisë së Transporteve
duke kërkuar në këtë formë e duke protestuar për forcimin e rregullave të licencimit, pasi për këtë arsye shumica prej taksistëve që janë të licencuar, janë drejt falimentimit. Me shumë se 30 taksi marshuan në grup ditën e djeshme duke bllokuar në këtë mënyrë edhe trafikun e automjeteve të tjera. Asnjëherë nuk kishin marshuar së bashku taksitë e liçensuara nga bashkia e kryeqytetit, të cilat zgjodhën këtë mënyrë protestë kundër lejimit të taksive të paliçensuara. Pas marshimit në bulevard, taksistët u ndalën para Ministrisë së Transporteve ku kanë kërkuar forcim të kritereve të licencimit të taksive dhe marrjen e masave ndaj informalitetit, arsye që po i çon ata drejt falimentimit. Shumë taksi të palicencuara nuk zbatojnë tarifat e përcaktuara të cilat favorizojnë qytetarin. Taksistët kanë deklaruar se kriza ekonomike dhe qarkullimi në treg i shumë taksive të licencuara, mbi numrin e caktuar për banorë, po i çon drejt falimentimit. Ata kanë kërkuar që institucionet përgjegjëse të ndërhyjnë përmes instrumenteve ligjore. Por edhe pse taksistët dalin shumë shpesh në protesta asnjë masë nuk është marrë nga Ministria e Transporteve për një kohë të gjatë. Përditë në rrugët e kryeqytetit shohim taksi që nuk kanë as tabelën e verdhë por nga ana tjetër ato nuk zbatojnë edhe rregullat e tjera të taksive të liçensuara.
Protestat
Taksistët nuk po gjejnë paqe ndaj konkurrencës së pandershme. Brenda një periudhe prej disa muajsh nuk kanë qenë të pakta protestat e tyre ku kërkohet vendosja e disa rregullave të forta për moslejimin e taksistëve të palicencuar të punojnë si të tillë. Edhe gjatë muajit Janar të këtij viti taksistët nisën protestat dhe kërkuan marrje të masave. Dje drejtuesit e taksive kanë protestuar sërish për padrejtësitë për sa u takon çmimeve dhe taksive të palicencuar. Edhe pse ata paguajnë taksa dhe i shlyejnë të gjitha detyrimet ndaj shtetit, pavarësisht kërkesave të tyre të vazhdueshme për të vendosur drejtësi, asnjë masë nuk është marrë për konkurrentët e paligjshëm, të cilët prishin fitimet në një treg pa rregulla. Nëse ky problem nuk gjen zgjidhje dhe konkurrenca e pandershme vazhdon të mbizotërojë në terren të lirë, aty ku nuk merr masa asnjë strukturë shtetërore, protesta e drejtuesve të taksive do të vazhdojë e madje do të përshkallëzohet edhe më tej. Sipas taksistëve, Ministria e Transporteve dhe policia nuk po marrin masa dhe prandaj taksistët janë të detyruar ti përshkallëzojnë protestat nëse vazhdon të mos ketë reagim nga strukturat përkatëse. Drejtuesit e taksive me licencë paralajmërojnë kanë lajmëruar muajin e kaluar protesta në mbarë vendin, pasi ndihen të pambrojtur nga strukturat shtetërore ku dhe paguajnë detyrimet ndaj shtetit. Taksistët me licencë thonë se po falimentojnë pasi policia, sipas tyre, nuk ndërhyn për ti bllokuar ato pa licencë. Madje, në shumë raste, punonjës të saj, pasi lënë orarin zyrtar dhe zhveshin uniformën e policit, punojnë si taksistë. Sipas vetë taksistëve sapo ata lënë punën lëmë fillon të punojnë persona e tjerë që i kanë taksia tjetër pa licencë. Çdokush që blen një makinë, mjafton ta lyejë atë me të verdhë, të vendosë një targë false dhe punon taksi, pasi askush nuk i ndalon. Shoqata e taksive në Tiranë ka bërë të gjitha përpjekjet për të vënë në lëvizje strukturat shtetërore, por në vend të pakësohen, taksistët e palicencuar janë shtuar më shumë. Në të gjitha rrugët e Tiranës shohim taksi private të cilat ushtrojnë punën në mënyrë të paligjshme. Nëse ne e paguajmë një ditë me vonesë taksën, hamë 100 mijë lekë gjobë. Ndërsa ato si prek askush, - deklaron Gëzim Bardhi, përfaqësues i Shoqatës së Taksive. Në apel ata e lëshojnë dhe për qytetarët, që të përdorin taksitë e licencuara.
Arta AGOLLI