Shkolla 100-vjeçare, vitet nuk e shëmbën dot
VLORË - Feston plot 100 vjet nga krijimi i saj, por fakti që ka qenë shkolla e parë shqipe në Vlorë, nuk e ka ndihmuar shumë që të hyjë në listën e investimeve e ndërhyrjeve të plota. Sot ajo njihet me emrin shkolla “28 Nëntori”, por në Vlorë gjithashtu njihet dhe me emrin e vjetër të saj “Shkolla nr 1 e Muradijes”. Në ndërtesën 100-vjeçare, së cilës i ruhet identiteti, ka amortizime të dukshme. Lyer me të bardhë, dy kate dhe ambiente me hapësirë relativisht të kufizuar krahasuar me shkollat e ndërtuara në periudha të mëvonshme në qytetin bregdetar. Në të mësimi vijon si një traditë e nisur prej vitit 1908, ndërsa janë 250 nxënës pjesë e këtij viti mësimor të ciklit 9-vjeçar. Drejtoresha e shkollës, Drita Shehu, pohon se është i nevojshëm rikonstruksioni total. Shkolla është e vjetër dhe ka nevojë për ndërhyrje. Në suvatim, por edhe në dysheme, ku ka shumë pjesë të dëmtuara. Të amortizuara tërësisht janë dritaret e shkollës, të cilat janë prej druri dhe periudha shumëvjeçare ka bërë që, sidomos gjatë dimrit, ambjenti për nxënësit të mos jetëfare komod. Drejtoresha gjithashtu pohon se ka nevojë për kabinete, për bazë tjetër materiale shtesë, duke tërhequr vëmendjen për shkollën më të vjetër në qytet. Një shtesë prej dy klasash shkollës i është mundësuar nga një financim i bashkisë, por kjo vlerësohet të mos jetë e plotë për nevojat e saj.Shkolla është përfshirë në vite në restaurime të pjesshme, por jo rikonstruksione të plota, duke i ruajtur në të njëjtën kohë edhe identitetin. Ardhja e dimrit e bën edhe më të vështirë gjendjen e shkollës, pasi ajo nuk ka izolimin e nevojshëm. Jo të gjithë e dinë që në këtë shkollë, dikur një ambient ka qenë kabineti i ministrit të Arsimit, klasë e cila është sot muze. Në të gjendet foto e Luigj Gurakuqit, si dhe dëshmi të tjera të kohës. Detajet historike i bëjnë sot edhe më të vegjlit e shkollës të ndihen krenarë që mësojnë aty ku u gërmëzua për herë të parë shqipja në Vlorë. Janë gjithsej 250 nxënës të cilët zhvillojnë këtë vit shkollor pranë “28 Nëntorit”. Disa vjet më parë shkollës iu dogj çatia, e cila sot është e rikonstruktuar. Shkolla ka hyrë në listën e objekteve muze në Vlorë, ndërsa është nderuar me medaljen “Naim Frashëri” të klasit të parë. Pritet që 100-vjetori i saj të festohet në muajin nëntor, së bashku me festën e Pavarësisë, ndërsa mësohet të kenë nisur lëvizjet edhe në prefekturë e bashki për festimin e përvjetorit të shkollës së parë shqipe në Vlorë.