Aksioni i prerjeve masive në ujësjellës
VLORË - Shifra e ulët e arkëtimeve ka bërë konkrete nisjen e një aksioni masiv për ndërprerjen e ujit të pijshëm te debitorët. Duket se ndërprerjet e energjisë nuk do të jenë të vetmet për personat që kanë detyrime ndaj ndërmarrjeve, pasi paralajmërimi i disa ditëve më parë nga ndërmarrja e ujësjellësit për këtë kategori, tashmë pritet të vihet në zbatim. Nga dega e shitjeve mësohet se janë përpiluar jo vetëm listat e debitorëve, por edhe kabinat ku do të ketë ndërprerje. Kështu, ndërprerjet do të nisin në kabinat Nafta 1, Çimento 1 e 2 NSHN, në lagjet “29 Nëntori”. Kabinat Kombinat, Artistike, Andi, Shtyllore, Hanxhari e Perlat Rexhepi në lagjen “Pavarësia”. Ndërprerje masive mësohet se do të ketë edhe në kabinat Mjekësore, Eternite, Bishti i Kalldrëmit, Orizi në lagjen “Isa Boletini”, si dhe nënkabinat Hambaraj, Aviacioni i Vjetër dhe i Ri, dhe Sera 2 në lagjen “Kushtrimi”.Vetë ndërmarrja ka ftuar edhe një herë debitorët të shlyejnë detyrimet që kanë ndaj saj, në të kundërt ndërprerjet do të jenë masive. Referuar kësaj metode, në degën e shitjes së ujësjellësit Vlorë pohojnë se kjo nuk shmanget dot, pasi vetë mënyra që furnizon ujësjellësi, nuk lë vend për zgjedhje alternative. Por gjithsesi për gjithë personat që nuk vijojnë të paguajnë, parashikohen edhe ndjekjet penale. Kabinat ku do të ndërhyhet kanë nivel pagesash nën 40%, ndërsa shumica i takojnë zonave periferike.