E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarr pranë rezidencave qeveritare në Ujin e Ftohtë

SHKËNDIJA/ Përhapja e shpejtë e flakëve u ndihmua nga era e fortë dhe temperaturat e larta të mesditës

VLORË - Një zjarr i rënë sot në zonën kodrinore pranë tunelit në Ujin e Ftohtë, ka rikthyer frikën e djegieve masive të periudhës së verës, ndërsa alarmi për përparimin e flakëve vuri në gatishmëri gjithë efektivët e gardës, të cilët kujdesen për rezidencat qeveritare. Fakti që këto të fundit ndodheshin pranë vatrës së zjarrit, si dhe era e fortë që frynte, ka bërë që forcat ushtarake të vihen në lëvizje. Po kështu, të mobilizuar për shuarjen e tyre kanë qenë edhe punonjësit e një hoteli që ndodhej ngjitur me zonën që u përfshi nga flakët, ndërkohë që normalizimi i situatës u arrit vetëm me ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse. Era e fortë dhe temperaturat e ngrohta të mesditës favorizuan përhapjen e shpejtë të flakëve, në një kohë që dogjën bimësinë e një zone të konsiderueshme në pjesën kodrinore. Lokalizimi i tyre u bë në kohë, duke evituar dëme të tjera në zonën përreth. Ajo çka rezulton e dëmtuar, është një sipërfaqe e mbjellë me pemë, ndër të tjera rrënjë ullinj. Shkak për vatrën e zjarrit mendohet të ketë qenë një shkarkesë elektrike, por që gjithsesi për këtë po punohet nga strukturat përkatëse.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›