Taksitë pajisen me taksimetër pa hyrë vendimi në fuqi
Taksimetrat mund të gjenden tashmë në disa taksi. As kostoja e lartë, 220 euro, as moshyrja në fuqi e vendimit për tarifat e reja, nuk ka ndaluar taksistët të marrin mjetin e ri të punës. Më shumë se përpjekje për të qenë korrektë me klientët, duket se entuziazmi ka të bëjë me një fenomen tjetër, abuzimin me taksat nga ana e Bashkisë së Tiranës. Ata shprehen se taksohen me çmime joreale dhe xhiro që bashkia e vendos vetë, e sipas tyre vetëm vendosja e taksimetrave mund ta ulë këtë abuzim.
Përveç konkurrencës së pandershme që i bëhet këtij shërbimi nga taksistët që punojnë pa licencë, për taksistët e licencuar është e padrejtë edhe pagimi i taksave të bashkisë për të dytën herë. Bashkia e Tiranës i konsideron taksitë biznes dhe kështu që u vjel dy herë taksat e pastrim-gjelbërimit, një herë si kryefamiljarë dhe një herë si biznes. Me gjithë ankesat e tyre të herëpashershme nëpër dyert e bashkisë, nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Nga ana tjetër kanë shpresë se me vendosjen e taksimetrave edhe tatimi mbi xhiron vjetore do të bëhet më korrekt, duke shmangur kështu abuzimet.
Taksitë
Vetëm pas datës 10 prill, kohë kur futet në fuqi vendimi për tarifat e shërbimit taksi dhe taksimetrat, çdo taksi e licencuar do ta ketë me detyrim vendosjen e taksimetrit. Madje për rastet e taksistëve që do të kapen pa taksimetër, do të ketë gjoba të majme nga Bashkia e Tiranës.
Aktualisht, janë të paktë ata taksistë që operojnë me taksimetër. Një pjesë konfirmojnë se ende nuk e kanë vënë në punë, por thjesht e kanë provuar. Zylfo Zotolli, taksist prej vitesh në Tiranë, thotë se vendosja e taksimetrave është një ndër parametrat kryesorë evropianë që i duhet patjetër këtij shërbimi. “Taksitë nuk kolaudohen pa pasur taksimetrin, d.m.th. për ne ka qenë kusht kryesor vendosja e taksimetrave. Nga ana tjetër kështu shmangen edhe abuzimet me çmimet, duke vendosur edhe njëfarë dialogu me klientin”, – shprehet Zotolli.
Pritshmëria
Taksistët kryeqytetas thonë se shpeshherë kanë pasur edhe konfrontime me klientët si shkak i çmimeve, pasi këta të fundit kanë thënë distanca të tjera në krahasim me atë ku taksisti i ka dërguar. Ndërkohë që me vendosjen e taksimetrave çdo personi i jepet një tarifë përkatëse e detajuar me rrugën e përshkruar, kohën e qëndruar në trafik si dhe mbërritjen në destinacion.
Madje në këtë faturë është i vendosur edhe numri i telefonit celular të taksistit dhe njësia e licencës. Në rastet kur klienti dëshiron të shërbehet sërish nga kjo taksi e thërret në të njëjtën kohë edhe në rastet kur ka harruar diçka në makinë mund të gjendet. Nga ana tjetër, ka edhe taksistë të licencuar të cilët nuk e kanë blerë taksimetrin, pasi ende nuk e kanë parë të arsyeshme të operojnë me ta.
Taksimetrat
Vendosjen e taksimetrave do ta bëjnë në momentin që bashkia do t’ua kërkojë me detyrim. Por Vera Elezi, taksiste në Tiranë, e shikon si mjaft pozitive vendosjen e taksimetrave. “Taksimetri të lehtëson punë. Nga ana ekonomike është më praktik, pasi na qëllon që të punojmë me të huajt në këtë mënyrë hiqen edhe abuzimet”.
Taksimetrat u janë shpërndarë taksistëve të licencuar nga Shoqata e Taksistëve të Tiranës, mirëpo tarifat janë ato që ka vendosur kjo shoqatë, ndërkohë që në mbledhjen e Këshillit Bashkiak janë miratuar disa të tjera. Sipas taksistëve, me hyrjen në fuqi të vendimit, do të jenë vetë anëtarët e shoqatës të cilët do t’i tërheqin sërish këta taksimetra për t’i riprogramuar me tarifat e reja, pasi vetëm kështu mund të shmangen abuzimet me çmimet.
Tarifat e reja për taksitë 4+1
Tarifa fillestare, 250 lekë për 2 km e parë
Zona A: 5 km pas 2 km të parë 100 lekë/km, 25 lekë/min
Zona B: 10 km të tjera pas 2 km+ 5 km, 85 lekë/km, 21 lekë/min
Zona C: Mbi 17 kilometra është 80 lekë/km, 18 lekë/min
Rezervimi i taksive kushton 50 lekë
Tarifa për bagazhet bëhet me negocim
Pritja për orën e parë është 1900 lekë
Tarifa për ditët pushim, festat zyrtare
Tarifa fillestare 300 lekë 2 km e para
Zona A: 5 km pas 2 km e para 120 lekë/km, 30 lekë/min
Zona B: 10 km të tjera për 2 km e para+5km 95 lekë/km,25lekë/min
Zona C: Mbi 17 km 80 lekë/km 20 lekë/min
Tarifat për udhëtimin natën
Tarifa fillestare për 2 km e para është 300 lekë/km
Zona A: 5 km e tjera pas 2km e para 120 lekë/km, 30 lekë/min
Zona B: 10 km të tjera pas 2km e para+5km 95 lekë/km, 25 lekë/min
Zona C: Mbi 17 km 80 lekë/km 20 lekë/min
Tarifat e reja për furgonët 8+1
Tarifa fillestar 400 lekë për 2 km e parë
Zona A: 5 km pas 2 km 80 lekë/km, 20 lekë/min
Zona B: 10 km të tjera pas 2 km+ 5 km 70 lekë/km, 17 lekë/min
Zona C: Mbi 17 kilometra është 60 lekë/km, 15 lekë/min