Topi: Alo Vace, urime!
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, nëpërmjet një telefonate ka uruar dje, legjendën e muzikës së lehtë shqiptare Vaçe Zela me rastin e 70-vjetorit të lindjes.
Presidenti Topi, duke vlerësuar interpretimin e jashtëzakonshëm të këngëve të muzikës së lehtë e popullore shqiptare së këngëtares Vaçe Zela, i uroi ikonës së muzikës shqiptare shëndet dhe jetë të gjatë. Presidenti i Republikës theksoi se figurat e shquara kombëtare, perlat e muzikës shqiptare, gjithnjë do të jenë në vëmendjen e shtetit shqiptar dhe do të kenë mbështetjen e duhur për kontributin e dhënë në evidentimin e vlerave të artit e të kulturës shqiptare. Këngëtarja e madhe dhe e papërsëritshme e muzikës, talenti i rrallë dhe i spikatur i së cilës e ka vendosur në panteonin e artistëve të kombit tonë, Vaçe Zela e falenderoi Presidentin Topi përzemërsisht për urimet, duke i uruar edhe atij suksese në krye të shtetit shqiptar. Mbrëmë, në Pallatin e Kongreseve, nën kujdesin e zonjës së Parë, Teuta Topi u organizua koncerti “Gala” për nder të këngëtares së madhe: “Vaçe Zela, një grua, një mit”. Ky koncert është i pari i këtij lloji kushtuar këngëtares së shquar në 70-vjetorin e lindjes së saj ku u mblodhën rreth 15 këngë nga artistë të ndryshëm si Qemal Kërtusha, Irma Libohova, Myfarete Laze, Sidrit Bejleri, Vikena Kamenica, etj.