E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taktikë, fuqi, sharm

Barcelona ka udhëtuar me autobus drejt Milanos për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Interit, duke treguar se as pluhuri vullkanik nuk mund të ndalë shkëlqimin e sulmuesit Lionel Messi dhe bashkëlojtarëve të tij.

Mirëpo, Inter arriti ta ndalë yllin argjentinas në shtator të vitit të kaluar, gjatë barazimit pa gola në fazën e grupeve në Giuseppe Meazza. Barazimi 0-0 në derbin e qytetit kundër Espanyolit në La Liga të shtunën dhe udhëtimi i gjatë 985 kilometra, do t’i japë shpresë Interit se Barcelona mund të mos ketë shkëlqimin e saj të plotë.

Pluhuri vullkanik nga Islanda ka ndalur udhëtimet ajrore në shumë shtete evropiane, por Barcelona nuk nxjerr arsyetime.

“Pas shumë orëve të kaluara së bashku në autobus, jam i sigurt se do të jemi edhe më të bashkuar dhe do të tregojmë fuqinë tonë për të mposhtur Interin”, tha mesfushori Sergio Busquets, gjatë një konference për shtyp.

Trajneri Pep Guardiola nuk do të mund të llogaritë në mesfushorin Andres Iniesta të lënduar, por ish-sulmuesi i Interit, Zlatan Ibrahimoviç është kthyer së bashku me mbrojtësin e majtë, Eric Abidal.

Në ndeshjet e fundit, Guardiola ka lënë jashtë ekipit një sulmues nga treshja e zakonshme në favor të një mbrojtësi të krahut, Daniel Alves ose Maxwell, të cilët kanë luajtur në rol të avancuar. Mirëpo, kjo nuk solli rezultat të mirë të shtunën.

Në anën tjetër, trajneri i Interit, Jose Mourinho mund të ketë marr shënime nga mënyra e mbrojtjes së Espanyolit kundër repartit kreativ të Barcelonës që mbajti Messin dhe Xavin nën kontroll, me mbulesë njeri në njeri.

Mediat italiane kanë spekuluar se Mourinho mund të përgatitë ndonjë befasi taktike për të martën, pas formacionit të papritur sulmues që e rrëzoi Chelsean. UEFA ka konfirmuar se ndeshjet do të zhvillohen pavarësisht problemeve në udhëtim.

Inter do të jetë i lumtur që takimi do të zhvillohet pas rikthimit të vetëbesimit pas fitores 2-0 ndaj Juventusit, të premten.

“Jemi përgatitur me qetësi për këtë takim. Ndeshjet si kjo luhen më tepër me kokë sesa me këmbë”, tha sulmuesi i Interit, Samuel Eto’o, i cili erdhi në fillim të këtij sezoni nga Barcelona.

Inter që ishte mposhtur 2-0 nga Barcelona në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve, në nëntor të vitit të kaluar, është në fuqi të plotë përveç mungesës së mbrojtësit të majtë, Davide Santon, i cili ka operuar gjurin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›