E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të presim, të shohim

Njerëzit e gjithë Botës, të martën mbrëma, do t’i bashkojë ekrani që shfaq një lojë futbolli, që konsiderohet takimi më interesant i Ligës së Kampionëve, kur Inter dhe Barcelona do të luftojnë për fitore dhe për primatin e më të mirit në Botë.

Një ditë para se gjigantët të zbresin në fushë për betejë, Jose Mourinho bëri të qartë synimin për Finale dhe nuk dha shenja dorëzimi përpara një ekipi të madh.

Në konferencën me gazetarë, të hënën, 47 vjeçari që konsiderohet si Fitues i Lindur, nuk tha “po”, kur u pyet nëse Barcelona është skuadra më e fortë në Botë.

“Do ta shohim. Ekipi më i fortë është ai që fiton këtë garë, e cila është më prestigjiozja në Botë. Duhet të presim dhe të shohim”.

Ndeshjen e parë me Chelsean, e kishte shikuar shtatë herë në DVD, përpara se të shkonte në Londër dhe ta shkatërronte përfundimisht ekipin që e kishte ngritur vetë.

Që nga ai çast, Pep Guardiola është vetëdijesuar se Barcelona nuk është aspak me fat që në Gjysmëfinale do të takohet me këtë Inter, i cili këtë vit është gdhendur me model të ri.

Për befasinë e të gjithëve, portugezi karizmatik tha se në muajt e fundit nuk ka shikuar asnjë minutë xhirime të ndeshjeve të Barçës.

“Zero minuta, në katër muaj e gjysmë të fundit. Në dy javët e fundit, e kam shikuar Inter-Barça dy herë, Barça-Inter dy herë. Kam shikuar ndeshjet e tyre kundër Real Madridit dhe Arsenalit në Londër. Vetëm punë rutinore”.

Vëmendja e tij mund të jetë përqendruar tek Lionel Messi, që aktualisht po kalon formën më të mirë të karrierës dhe po magjeps me krejt çfarë është duke bërë.

Por, nëse ka një njeri në të cilin mund të marrë në thua argjentinasi, ai është Jose Mourinho. Kështu thonë statistikat e deritashme. Messi nuk ka shënuar asnjëherë kur ka luajtur kundër ekipeve që i ka udhëhequr Mourinho. Kjo ka ndodhur tri herë.

“Special One” nuk i dha rëndësi të posaçme një lojtari të vetëm, edhe pse ai quhet Messi, sepse, siç shpjegoi, filozofia e tij në futboll nuk është mbulimi i vetëm një lojtari.

“Ai është një futbollist i rëndësishëm. Por, nuk do të jetë 1 kundër 11. Nuk është në kulturën time kjo mënyrë e lojës. Prandaj, nuk do të jetë 1 kundër Messi dhe 10 futbollistë kundër 10 futbollistëve të tjerë. Do të jetë 11 kundër 11. Natyrisht, ai meriton kujdes të veçantë, sepse është special”, u shpreh portugezi.

Në ndeshjet e fundit, Messi ka ndërruar pozitat në fushë disa herë.

“Ai mund të luajë në krahun e djathtë, në të majtë, në qendër të sulmit sikurse në Madrid, dhe pas Ibrës në ndeshjen kundër Arsenalit. Do ta shohim”, tha Mourinho.

Por, ku do të luajë Wesley Sneijder, i cili Interit po i jep magjinë?

“Kjo është pyetje 1 milon-dollarëshe... Për Barcelonën, do të luajë Maxwell apo Abidal? Alvez mbrojtës i majtë, apo sikurse që luajti në Madrid më i avancuar në krah? Milito apo Puyol? Keita në të djathtë, apo Keita në të majtë? Me të vërtetë do të doja të kem përgjigje për këto pyetje. Por, fatkeqësisht, nuk mendoj se Guardiola do të përgjigjet në këtë pyetje në konferencën e tij për media”.

Mourinho pranoi se në fazën e grupeve Barça ka dëshmuar superioritet të lart ndaj Interit, mirëpo rikujtoi se që nga ajo kohë punët kanë ndryshuar në kampin zikaltër.

“Ne nuk kishim kapacitet t’i përgjigjeshim superioritetit të tyre. Kjo ishte në nëntor. Ata janë po aq të mirë sikurse që ishin në nëntor. Mirëpo, ne jemi shumë më mirë sesa që ishim në nëntor. E pranoj një analizë të tillë, nuk ofendohem. Mirëpo, mendoj se gjasat janë 50-50”.

Fizikisht, Inter është në formë të mirë, ndërsa taktikisht është qartësisht më kompakt se në muajin nëntor.

Jose Mourinho theksoi se tash gjendja psikologjike e lojtarëve në Ligën e Kampionëve ka ndryshuar tërësisht.

“Nga një ekip që kishte presionin e mungesës së fitoreve jashtë, arritëm të jemi ekip me pesë fitore radhazi. Ne duhet të kemi kënaqësi të madhe që luajmë në Gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, jo frikë. Meritojmë të jemi në Gjysmëfinale dhe tani duam të shkojmë në Finale”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›