E Shtunë, 31 Tetor 2026

Talasemia, apel për dhurimin vullnetar të gjakut

TIRANË- Pavarësisht numrit në rritje te dhurimeve vullnetare të gjakut, strukturat shëndetësore apelojnë për ndërgjegjësimin e qytetarëve për më shumë dhurime të tilla, me qëllim plotësimin e nevojave për këtë produkt jetik për pacientët me talasemi dhe njerëzit në nevojë.

Nga ana tjetër, dhurimi vullnetar i gjakut do të thotë jo vetëm plotësim të nevojave, por dhe gjak i sigurtë.

Trajtimi i pacientëve me talasemi bazohet në transfuzione të shpeshta të gjakut, mesatarisht çdo 2 javë, dhe transplantin e palcës së kockës. Zbatimi i programit për transfuzionin e këtyre pacientëve me gjak të sigurtë dhe cilësor ka bërë të mundur që gjatë dy viteve të fundit të mos ketë raste të reja në grupin e pacientëve me talasemi, të infektuar nga transfuzioni i gjakut me hepatit B, C apo HIV.

Ndërkohë, çelësi i suksesit për përmirësimin e cilësisë së trajtimit të pacientëve lidhet me fuqizimin e promocionit për dhurimin vullnetar të gjakut, duke siguruar me shume dhurues vullnetare të rregullt të gjakut. Nga ana tjetër, siguria e gjakut bazohet në dy elementë kryesorë; rekrutimin e dhuruesve vullnetare (të papaguar) të gjakut dhe kthimi i tyre në dhurues të rregullt gjaku.

Sipas të dhënave, që të jemi mjaftueshëm me gjak dhe produktet e tij duhet të jenë të paktën 20 dhurime për 1000 banorë. Ndërkohë që, sipas të dhënave të vitit të kaluar, kemi 8.7 dhurime për 1000 banorë, kundrejt 5 dhurime për 1000 banorë të regjistruar në 2006. 

TALASEMIA, KOSOVA: PËRMIRËSIM TË TRAJTIMIT TË PACIENTËVE DHE REDUKTIM TË RASTEVE TË REJA

Përmirësimi i i cilësisë së trajtimit të këtyre pacientëve dhe reduktimit i lindjeve të reja me talasemi, nëpërmjet informimit, edukimin dhe skrinimit të bartësve mbetet një nga prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë. Në Ditën Botërore të Talasemisë, anemisë mesdhetare, e lindur dhe e trashëguar nga prindërit tek fëmijët, u apelua për informimin dhe parandalimin e kësaj sëmundje.
Mesazhi i Federatës Botërore të Talasemisë, e zgjedhur për këtë ditë është “E drejta për një kujdes shëndetësor cilesor për çdo pacientë me talsemi major”.
Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, vlerësoi përmirësimet e bëra në trajtimin e pacientëve, sikurse dhe jetëgjatësia dhe cilësia e jetës së këtyre pacientëve. “Çdo masë e marrë në përmirësimin e trajtimit ndaj tyre drejtpërsëdrejti reflektohet edhe në cilësinë dhe zgjatjen e jetës të pacienteve. Kështu, para vitit 2000 ne nuk kishim pacientë mbi 18 vjeç, ndërsa sot kemi pacientë të moshës mbi 35 vjeç që jane ne gjendje të mirë shëndetësore, kryejnë aktivitet normal dhe kanë krijuar familje”, tha Kosova gjatë një konference, mbajtur në këtë ditë në Muzeun Kombëtar.

Interesimi i punonjësve të shëndetësisë dhe puna e madhe e shoqatës shqiptare të talasemisë, sipas tij, ka luajtur një rol të madh në progresin e arritur në lidhje më trajtimin e pacientëve në vitet e fundit.
Sa i takon të dhënave që lidhen me regjistrime të reja me talasemi, për vitin 2012 janë shënuar 14 raste të reja me talasemi, ku pjesë e tyre janë dhe pacientë të rikthyer rishtas nga emigracioni, por të diagnostikuar më parë në vendin tonë.

Duke u mbështetur në të dhënat mbi frekuencen e talasemisë në vendin tonë, e cila mbetet e lartë (në Lushnjë 7.3 %, Berat 7.04 %, Fier 9.96 %, Sarandë 7.92 % dhe Shkodër 0.72 %), vëmendja dhe puna është përqendruar te parandalimi i kesaj patologjie nëpërmjet reduktimit te lindjeve te reja me talasemi. Edhe në këtë drejtim, sipas ministrit të Shëndetësië, është bërë i detyrushem kontrolli për bartës të talasemisë, i gruas shtatzanë brenda 3 mujorit të parë të shatzanisë.

Në bashkëpunim me Shoqatën Onlus “Unn cuore per Albania”, të Bazilikatës në Itali, po kryhet programi i skrinimit për bartësit e talasemisë në nxënësit e vitit të fundit të shkollave të mesme në rrethet Kavajë, Lushjnje Fier dhe Vlorë, Sarandë

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera Liri Berisha: Humanizëm me disa mililitra gjak për fëmijët Talasemia zbulohet që në fetus, analizat që duhen

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›